Ndërlidhjet

Rusia mbështet Serbinë në “zgjidhjen e statusit të Kosovës”


Moskë, 1 prill 2016.

Moskë, 1 prill 2016.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka pritur sot në Moskë homologun serb, Ivica Daçiq.

Në një konferencë të përbashkët për gazetarë, Lavrov ka thënë se Rusia mbështet Serbinë në çështjet që, siç është shprehur ai, lidhen me zgjidhjen e statusit të Kosovës.

“Këto çështje duhet të zgjidhen përmes dialogut të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv midis Beogradit dhe Prishtinës. Dhuna nuk duhet të pranohet. Eksese të këtij lloji janë duke ndodhur, përfshirë sulmet kundër kishave ortodokse dhe objekteve tjera serbe në Kosovë. Po ashtu, çdo devijim nga marrëveshjet që janë arritur, është i papranueshëm”, ka thënë Lavrov.

Kosova ka shpallur pavarësinë qysh në shkurt të vitit 2008, por ajo nuk njihet as nga Serbia, as nga Rusia, të cilat insistojnë se statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur.

Lavrov ka kujtuar edhe fushatën e bombardimeve të NATO-s në caqet serbe në vitin 1999, e cila ka pasur qëllim të ndalojë luftën e ushtrisë së regjimit të Millosheviqit në Kosovë.

“Më 24 mars, ngjarje përkujtimore janë mbajtur nëpër Ballkan për të kujtuar përvjetorin e nisjes së agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë. Në Serbi dhe në Rusi, njerëzit nuk i kanë harruar ato 78 ditë të bombardimeve ajrore të NATO-s, të cilat vazhdojnë të jenë një plagë e hapur në zemrat e serbëve”, ka thënë Lavrov.

Serbia mban lidhje të mira me Rusinë, edhe pse ka hapur kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG