Ndërlidhjet

Llukshiq lë Qeverinë malazeze, synon OKB-në


Igor Llukshiq

Igor Llukshiq

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, ka braktisur përfundimisht Qeverinë malazeze, duke i kërkuar kryeministrit që të nisë procesin e zgjedhjes së shefit të ri të diplomacisë.

Në periudhën në vazhdim, Llukshiq ka thënë se do t’i përkushtohet kandidaturës së tij për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

Duke shpjeguar braktisjen e funksioneve të larta shtetërore dhe braktisjen e mëparshme të Partisë Demokratike Socialiste, Llukshiq ka thënë në një konferencë për media në Podgoricë se kjo nuk është rezultat i konflikteve në partinë qeverisëse, por vendim i tij personal.

Për kohë të gjatë, një pjesë e opinionit publik e intepreton largimin e Llukshiqit si rezultat të një konflikti të heshtur me kryeministrin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, por Llukshiq i hedh poshtë këto vlerësime.

Qeveria e Malit të Zi, qysh në dhjetor, ka vendosur që të kandidojë Llukshiqin për sekretar të përgjithshëm të OKB-së.

Llukshiq, nga viti 2010 deri më 2012, ka qenë kryeministër i Malit të Zi.

Zgjedhjet për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara do të mbahen këtë vit dhe do të përcaktojnë pasardhësin e sekretarit aktual, Ban Ki-moon.

Mandati i zotit Ban përfundon më 31 dhjetor, 2016.

XS
SM
MD
LG