Ndërlidhjet

Rreth 2,000 nxënës janë riatdhesuar dhe integruar


Ilustrim
Ilustrim

Rreth 2,000 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë janë kthyer në vend nga shtetet e Bashkimit Evropian, të cilët kishin migruar në mënyrë ilegale me familjet e tyre, në fund të vitit të 2014 dhe në fillim të vitit 2015.

Këta nxënës tashmë janë integruar në sistemin e arsimit, kryesisht nëpërmjet provimeve, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Ky integrim është realizuar nëpërmjet një udhëzimi administrativ, i cili ka hyrë në fuqi në fund të vitit të kaluar.

Azem Guri, këshilltar politik i ministrit të Arsimit në Qeverinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me anë të këtij udhëzimi, të gjithë nxënësve u mundësohet vazhdimi i mësimit në shkollat ku kanë qenë të regjistruar më parë ose në shkollat afër vendbanimit të tyre.

“Nuk është i vështirë integrimi në shkolla, sepse me udhëzim janë përcaktuar rolet, detyrat e mësimdhënësit të shkollave, drejtorive komunale të arsimit se si nxënësit të integrohen në sistemin arsimor”, thotë Guri.

Por, jo të gjithë nxënësit e kthyer ndjekin mësimet pas riatdhesimit të tyre në Kosovë.

Bashkim Ibishi, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Avokim, për Radion Evropa e Lirë, thotë se 75 për qind e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas pas riatdhesimit, kanë mbetur jashtë bankave shkollore.

Në aspekt të arsimimit, nga 70 familje që ne kemi intervistuar, rreth 25 për qind e fëmijëve të kthyer shkojnë në shkollë, pjesa tjetër ka mbetur jashtë bankave shkollore”, bën të ditur Ibishi.

Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, konsiderojnë se integrimi i nxënësve në klasat, që kanë qenë, është i domosdoshëm. Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, kërkon nga institucionet arsimore zbatimin e udhëzimit administrativ.

“Ne bëjmë apel tek anëtarët tanë që të punojnë me këta fëmijë në mënyrë të veçantë, që gradualisht ata t’i përmbushin kërkesat dhe ato zbrazëti që i kanë në dije, për shkak të braktisjes së shkollës për migrim, pastaj këta nxënës të jenë të barabartë me nxënësit e tjerë”, thotë Jasharaj.

Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, 5,200 ka qenë numri i nxënësve, të cilët kishin braktisur Kosovën me familjet e tyre në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015.

Në këtë periudhë, mijëra qytetarë, në mënyrë të paligjshme, kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të, siç thuhet, “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian".

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

XS
SM
MD
LG