Ndërlidhjet

logo-print

Tërheqja e BDI-së nga Qeveria thellon krizën politike


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Vendimi i Bashkimit Demokratik për Integrim për largimin e të gjithë ministrave të saj nga Qeveria, ka ndërlikuar edhe më shumë krizën politike në vend, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike dhe ekspertët juridikë, duke parashikuar hapat që do të ndërmarrin partitë për situatën e krijuar.

Qeveria ka 24 anëtarë dhe nëntë prej tyre janë nga radhët e BDI-së, apo një e tretë e kabinetit.

Në një situatë të tillë, sipas ekspertit juridik, Temelko Ristevski, bie e gjithë qeveria, që nënkupton konstatimin e dorëheqjeve nga ana e Kuvendit dhe kthimin e mandatit te presidenti i shtetit, cili më pas duhet të caktojë një mandatar të ri për zgjedhjen e qeverisë, që në këtë rast do të ishte VMRO–DPMNE-ja.

Në rastin konkret, sipas një analogjie, mund të zbatohet neni 94, pika 4 e Kushtetutës. Kur kryetari i Qeverisë propozon shkarkimin e së paku një të tretës së ministrave, Kuvendi duhet të veprojë sikur në rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re”, thotë Ristevski.

Dorëheqja e ministrave të BDI-së së Ali Ahmetit vjen në kohën e publikimit në media dhe rrjete sociale të një bisede të përgjuar me përmbajtje erotike ndërmjet dy zyrtarëve të lartë të kësaj partie.

Nga kjo parti, bisedat e tilla komprometuese i kanë quajtur “ inskenime të laboratorëve të nëntokës dhe kriminelëve të caktuar për qëllime shantazhi dhe diskreditimi të zyrtarëve të BDI-së”.

Njohësit e çështjeve politike, kanë vlerësime të ndryshme lidhur me gjendjen e krijuar.

Alajdin Demiri nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, thotë se bëhet fjalë për një lojë ndërmjet BDI-së dhe VMRO-së për mos-shtyrjen edhe një herë të datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Është një vendim i akorduar për të satën herë mes VMRO-së dhe BDI-së kur bëhet fjalë për zgjedhjet e parakohshme. Këtë ato e bëjnë për të krijuar kushtet për shpërbërjen e Kuvendit më 7 prill dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme më 5 qershor. Arsyeja për një veprim të tillë, qëndron në faktin se ashtu siç po kalon koha VMRO-ja dhe BDI-ja po humbin në peshë”, konsideron Demiri.

Por, ndryshe nga Demiri, analisti politik, Xhelal Neziri thotë se largimi i BDI-së do të rrënonte gjithë procesin e marrëveshjes politike. Ai thotë se më tepër bëhet fjalë për një betejë brenda BDI-së se sa një lojë me VMRO-në.

“Largimi i BDI-së nga Qeveria do të ishte minim i këtij procesi. Me një qeveri të cunguar, ku shqiptarët nuk do të ishin të përfaqësuar, me siguri se nuk do të kishim mundësi të kemi zgjedhje që do të ishin të pranueshme për të gjithë".

"Nuk mendoj se ky vendim i BDI-së vjen nga ndonjë marrëveshje e koordinuar me VMRO DPMNE-në, pasi së paku nga ato informata që kanë dalë nga BDI-ja, bëhet fjalë për një revoltë të brendshme, të shkaktuar nga përgjimet e fundit e që kishin të bëjnë me jetën intime të funksionarëve të kësaj partie”, thotë Neziri.

Sipas Nezirit, përgjegjësia duhej kërkuar vetëm për ata zyrtarë që ishin pjesë e aferës, por jo edhe për të tjerët që s’kishin të bënin me skandalin e bisedave të përgjuara komprometuese.

Megjithatë, ai beson se BDI-ja, deri para datës 7 prill kur hyn në fuqi vendimi për shpërndarjen e Kuvendit, do t’i plotësojë postet ministrore me emra të rinj.

Por, nëse ndodh që vendimi për largim nga Qeveria të jetë i prerë, atëherë sipas Nezirit, kjodo të ndërlikonte edhe më shumë krizën dhe tërë procesin e marrëveshjes politike.

Nga ana tjetër, partitë kanë dhënë vlerësime të ndryshme përveç VMRO-së, e cila nuk ka komentuar veprimin e BDI-së.

LSDM-ja ka shprehur habinë nga një veprim i tillë, duke rikujtuar se BDI-ja asnjëherë më parë nuk kishte shfaqur shenja nervozizmi nga publikimi i bisedave të përgjuara telefonike, por madje kishte bërë thirrje për publikimin e gjithçkaje që kishte të bënte me zyrtarët e BDI-së.

Ndërkaq, Partia Demokratike Shqiptare veprimin e partisë së Ahmetit e ka quajtur hipokrizi.

XS
SM
MD
LG