Ndërlidhjet

logo-print

Somali: Lideri militant - cak i sulmit ajror të SHBA-ve


Një aeroplan ushtarak pa ekuipazh i Shteteve të Bashkuara

Një aeroplan ushtarak pa ekuipazh i Shteteve të Bashkuara

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndërmarrë një sulm me aeroplan pa ekuipazh kundër një lideri të lartë të al-Shababit, që është degë e al-Kaidës në Somali, ka njoftuar Pentagoni.

Mëtutje, zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha mbrëmë se rezultatet e sulmit ajror më 31 mars, cak i të cilit ishte militanti, Hassan Ali Dhoore, që ka luajtur rol kryesor në dy sulme vdekjeprurëse në Mogadishu, ende po analizohen.

Raportohet se sulmi është kryer në vendin Xhibil, në pjesën jugore të Somalisë, afër kufirit me Kenian.

Zëdhënësi Cook tha se militanti Dhoore ka ndihmuar në kryerjen e sulmit vdekjeprurës në Ditën e Krishtlindjeve, në vitin 2014, në Aeroportin Ndërkombëtar në Mogadishu, dhe në një hotel në mars të vitit 2015. Në mesin e të vrarëve nga sulmet me bomba kishte edhe shtetas të Shteteve të Bashkuara.

“Duke e larguar Dhooren nga fushëbeteja do të jetë një goditje e rëndësishme ndaj planifikimit operacional të al-Shababit dhe aftësisë për të ndërmarrë sulme”, tha Cook.

Grupi militant, al-Shabab po zhvillon kryengritje të armatosur në Somali.

Ky grup, po ashtu, ka ndërmarrë sulme në Kenia dhe Ugandë, vende këto që kanë kontribuar me ushtarë në forcën paqeruajtëse të Unionit Afrikan në Somali.

XS
SM
MD
LG