Ndërlidhjet

BDI në Qeverinë e Maqedonisë me ministra të rinj


Zëvendësimi i ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni, me kuadro të rinj është komentuar në forma të ndryshme në opinion.

Nga partia e Ali Ahmetit, shkarkimin e dy zëvendëskryeministrave, 5 ministrave dhe të 3 zëvendësministrave nuk e kanë arsyetuar me aferën e fundit mes dy zyrtarëve të BDI-së, për të cilët u publikuan biseda telefonike me përmbajtje erotike, që nga BDI-ja u cilësuan si të sajuara nga “nëntoka kriminale me qëllimin e vetëm, diskreditimin e zyrtarëve të saj“.

Por, në arsyetimin me shkrim, megjithatë publikimin e materialeve të tilla e kanë quajtur “komprometim të gjithë procesit politik, si pasojë e paralizimit institucional dhe mosreagimit të drejtorive kompetente për të parandaluar degjenerimin e të gjitha përpjekjeve për të vendosur sistem të kontrollit të ndërsjellë si dhe hetimit institucional të përmbajtjes së përgjimeve dhe bartje të përgjegjësisë për çdo keqbërje“.

Në vend të ministrave të deritanishëm, BDI-ja për Ministër të Drejtësisë ka emëruar Valdet Xhaferin, ministër i Arsimit, Pishtar Lutfiu, ministre e Pushtetit Lokal, Shyhrete Elezi, ministër i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti, i Ekonomisë, Driton Kuçi ndërsa në postet e zëvendëskryeministrave, Arbër Ademin, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Festim Halilin, për sektorin për çështje evropiane.

Njohësit e çështjeve politike kanë vlerësime të ndara nëse me këtë përbërje të qeverisë do të mbahen ose jo zgjedhjet e parakohshme në afatin e caktuar më 5 qershor.

“Me këtë riformatim të qeverisë, me ndërrimin vetëm të ministrave të BDI-së, vlerësoj se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, më 5 qershor nuk do të mbahen për shkak se vlerësoj se këta ministra nuk do të zgjidhen vetëm se për më pak se dy muaj pasi si dihet për disa ditë duhet të shpërndahet Kuvendi. Prandaj vlerësoj se këta ministra do të jenë pjesë e qeverisë në një periudhë më të gjatë, pra deri në zbatimin e zgjedhjet, kur do që të mbahen ato“, thotë analisti Mitko Gazhoski

Ai ka shtuar se vendimi i dytë që mund të ketë shtyer kreun e partsë për të zëvendësuar ministrat, më tepër ka të bëjë me punën e prokurorisë speciale dhe dyshimet, apo akuzat që ndoshta mund të ngriten edhe ndaj zyrtarëve të BDI-së për shpërdorim detyre apo vepra tjera penale.

“Që partia të mos dëmtohet nga ministrat aktual ndaj të cilëve do të mund të ngriten padi për raste të caktuar, kanë vendosur për zëvendësimin e tyre me emra të rinj".

"Pra, kabineti i ri mund të jetë në një formë edhe qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhshme të cilat sërish e përsëris se nuk do të mbahen më 5 qershor për shkak të mosplotësimit të kushteve të parapara për mbarëvajtjen e tyre“, thotë Gazhoski, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjen edhe të faktorit ndërkombëtar në këtë proces, të cilët kanë informacione mbi përfshirjen e zyrtarëve të BDI-së në procese gjyqësore.

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike, Albert Musliu, ndërrimin e gjithë ministrave të BDI-së, e vlerëson si një surprizë për opinionin, i cili një kohë të gjatë kishte shprehur pakënaqësinë nga puna e ministrave, disa prej të cilëve në ekzekutiv ishin më shumë se dhjetë vite.

“Gjithsesi se është një suprizë me personat të cilat janë relativisht të rinj dhe të panjohur për opinionin. Nga ana tjetër edhe BDI-ja ka qenë një kohë të gjatë nën presione dhe kritika për karrierën e gjatë të disa ministrave, për kapjen e disa prej tyre".

"Vlerësoj se ky ekip qevritar gjithsesi se nuk e ka afatin e gjatë pasi ai do të ketë mandatin deri në realizimin e zgjedhjeve pavarësisht se a do të mbahen më 5 qershor apo do të shtyhen për një datë tjetër. Por, edhe pas shtyrjes eventuale do të duhet të gjendet ndonjë formulë për realizimin e reformave që duhet të bëhen“, thotë Musliu.

Ndryshe, zëvendësimi i ministrave të BDI-së ndodhë para 7 prillit kur duhet të hyjë në fuqi vendimi për shpëbërjen e Kuvendit.

Një ditë më vonë, kryeparlamentari, Trajko Veljanovski duhet të dekretojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat sipas marrëveshjes politike duhet të mbahen më 5 qershor.

Por, për shkak të mosrealizimit të dy pikave kryesore, pastrimit të listës zgjedhore dhe marrëveshjes për mediat, mbajtja e tyre në këtë datë, mbetet me pikëpyetje.

XS
SM
MD
LG