Ndërlidhjet

Savchenko do të futet në grevë të urisë së thatë


Nadia Savchenko
Nadia Savchenko

Pilotja ushtarake e Ukrainës, Nadia Savchenko, e cila është dënuar nga një gjykatë ruse me 22 vjet burgim, do të nisë grevë të urisë së thatë më 6 prill, kanë thënë avokatët e saj mbrojtës.

“Kërkesa e saj është kthimi i menjëhershëm në Ukrainë”, ka thënë avokati Nikolai Polozov.

Savchenko, 34 vjeçe, është dënuar më 22 mars nën akuzat se ka marrë pjesë në vrasjen e dy gazetarëve rusë në lindje të Ukrainës, në vitin 2014.

Dënimi hyn në fuqi nga data 5 prill.

Savchenko i mohon akuzat dhe ka hyrë disa herë në grevë për të protestuar ndalimin e saj dhe procesin gjyqësor.

Mbrojtja e saj ka përsëritur të hënën se Savchenko nuk do të apelojë vendimin, duke thënë se nuk e njeh legjitimitetin e rastit kundër saj.

Savchenko thotë se është kapur në lindje të Ukrainës në qershor të vitit 2014, derisa ka qenë duke luftuar me një batalion vullnetarësh kundër separatistëve pro-rusë, dhe se është dërguar ilegalisht në Rusi.

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, ka thënë se Kievi është i gatshëm ta shkëmbejë atë me të burgosur rusë.

Por, Kremlini ka thënë se Savchenko do ta vuajë dënimin në Rusi.

XS
SM
MD
LG