Ndërlidhjet

Azerbajxhan: Raportohet për ushtarë të vrarë në konflikt me armenët


Pamje e dëmtimeve nga lufta në rajonin Nagorno-Karabah

Pamje e dëmtimeve nga lufta në rajonin Nagorno-Karabah

Ministria e mbrojtjes e Azerbajxhanit ka njoftuar sot se 16 ushtarë të saj janë vrarë në luftimet në Nagorno-Karabah, gjatë dy ditëve të kaluara, derisa janë ripërtrirë armiqësitë në këtë konflikt, që zgjatë për më tepër se dy dekada.

Rajoni Nagorno-Karabah është brenda Azerbajxhanit, por është nën kontroll të armenëve etnikë.

Separatisët armenë të mbështetur nga Armenia kanë raportuar për 18 vetë të vrarë prej 2 prillit, kur ka shpërthyer vala e fundit e luftimeve.

Për përshkalllzimin e dhunës, të dy palët e fajësojnë njëra-tjetrën.

“Çdo përgjegjësi për atë që po ndodhë bie në Armeninë, e cila nuk është e interesuar për zgjidhjen e konfliktit dhe nuk e përfillë të drejtën ndërkombëtare”, tha zëvendësministri i jashtëm i Azerbajxhanit, Khalaf Khalafov, gjatë një takimi rajonal në kryeqytetin Baku.

Nëpërmjet një kumtese, separatistët armenë thanë se Azerbajxhani “prej ditës në ditë e rritë kalibrin e armatimit të vet”.

Gjatë ditës së sotme pritet që në Vjenë të takohen të dërguarit e Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Francës, për të diskutuar për luftimet në Nagorno-Karabah.

Duke u shprehur për këtë konflikt, zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, tha se të dy palët duhet “ta ndalin dhunën”.

“Të dy palët duhet ta ulin përshkallëzimin, ta ndalin dhunën, t’i kthehen armëpushimit dhe pastaj, përsëri nëpërmjet mekanizmit të Grupit të Minskut, në të cilit kemi punuar shumë fuqishëm me të dy palët, të arrijmë zgjidhje paqësore ose zgjidhje të këtij konflikti”, tha Mark Toner, mbrëmë vonë në Uashington.

XS
SM
MD
LG