Ndërlidhjet

Reciprociteti vazhdon - Kosova nuk varet vetëm nga tregu i Serbisë


Ilustrim
Ilustrim

Autoritetet e Kosovës kanë rikonfirmuar se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për transportin e naftës dhe gazit do të vazhdojë, derisa kjo e fundit të pranojë certifikatat (të njohura si ADR), që lëshohen nga autoritetet e Kosovës, për shoferët dhe automjetet që bartin materie të rrezikshme.

Qeveria e Kosovës vendimin për masë reciprociteti ndaj Serbisë në këto produkte e kishte marrë më 21 mars të këtij viti.

Ky vendim erdhi, pasi që autoritetet e Serbisë fillimisht, kishin refuzuar të njohin certifikatat e shoferëve dhe automjeteve kosovare që bartin materie të rrezikshme.

Ndërkohë, lidhur me këtë çështje gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar bisedime në Vjenë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por që kanë përfunduar pa rezultate.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë ka treguar për mospajtimet që kanë pasur me palën serbe gjatë këtij takimi.

“Pas negociatave të vështira që i kemi pasur nuk ka pasur rezultate. Pala serbe është arsyetuar me faktin se Kosova nuk është anëtare e konventës së certifikatave të ADR-së dhe anëtare e OKB-së, mirëpo argumenti ynë ishte që Kosova ka me shumë shtete njohje të këtyre certifikatave dhe këto argumente nuk janë të qëndrueshme, dhe pas shumë përpjekjeve nuk pati rezultati. Qëndrimi jonë është që derisa të mos ketë njohje të certifikatave ne do t’i mbajmë masat e reciprocitetit”, ka bërë të ditur Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka shtuar se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, gjatë gjithë procesit të bisedimeve janë angazhuar që pala serbe të bindet dhe të arrihet marrëveshja.

Bisedimet lidhur me këtë çështje ka shtuar Tahiri do të vazhdojnë

Vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë për çështje tregtare e ka konfirmuar edhe Maja Kocijançiq, zëdhënës e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini.

Diskutimet e djeshme janë “kryer në atmosferë të mirë dhe konstruktive dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për lehtësimin e lejimit të lëvizjes së lirë për tregti dhe mallra, përfshirë mallrat e rrezikshme, pa pengesë në frymën e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Maja Kocijançiq.

Në anën tjetër, masa e reciprocitetit për transportin e naftës dhe gazit, që autoritetet e Kosovës i kanë vendosur Serbisë, thuhet të mos ketë shkaktuar mungesë të këtyre produkteve në vend.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin për Tregti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tregon për Radion Evropa e Lirë, se për këto produkte janë gjetur tregje në shtete të tjera.

“Mund të themi që reciprociteti me Serbinë për produktet e naftës dhe gazit, nuk ka shkaktuar asnjë mungesë të këtyre produkteve në tregun e Kosovës. Nga praktikat tregtare të mëhershme që i kemi pasur, kompanitë nga Kosova kanë treguar se mund të gjejnë edhe tregje rajonale dhe përtej rajonit dhe se nuk varen vetëm nga tregu i Serbisë”, thekson Dërvisholli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se importi i këtyre produkteve nga Serbia nuk është i lartë.

“Nëse merret viti 2015, gjithë importi i naftës nga Serbia ka qenë 9 milionë litra, kjo mund të duket shumë, por kur kihet parasysh që importi i naftës në tërësi në Kosovë e kalon 500 milionë litra vjetore, atëherë importi nga Serbia është 3 për qind, dhe nuk është e vështirë të zëvendësohet”, shton Stavileci.

Për gjetjen e tregjeve tjera, flet edhe Fadil Berjani, kryetar Shoqatës së e Naftëtarëve në Kosovës.

“Me këto masa Kosova nuk humb asgjë, më këtë mos humb Serbia. Sa i përket furnizimeve në mënyrë automatike kanë kaluar në vendet e rajonit në Shqipëri, Maqedoni dhe në vendet e Bashkimit Evropian”, ka bërë të ditur Berjani.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në vitin 2015 Kosova nga Serbia, kishte importuar derivate të naftës dhe gazit në vlerë prej rreth 27 milionë euro.

Derivate të naftës dhe gazit, Kosova kishte importuar edhe nga Shqipëria në vlerë prej 28 milionë euro dhe nga Maqedoni në vlerë për 14 milionë euro, në vitin 2015.

Derivate të naftës Kosova importon edhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG