Ndërlidhjet

Sanders dhe Cruz fituan në Viskonsin


Kandidatët (nga e majta): Hillary Clinton, Bernie Sanders, Ted Cruz dhe Donald Trump

Kandidatët (nga e majta): Hillary Clinton, Bernie Sanders, Ted Cruz dhe Donald Trump

Senatorët Bernie Sanders dhe Ted Cruz, dy kandidatë që duket se nuk kanë gjasë për triumf përfundimtar në zgjedhjet partiake për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar fitore të rëndësishme në shtetin, Viskonsin.

Rrjeti televiziv CNN ka raportuar se në zgjedhjet partiake në Partinë Demokratike në Viskonsin, zoti Sanders ka fituar 56.4% të votave, ndërsa kandidatja që konsiderohet favorite për ta fituar nominimin, Hillary Clinton, fitoi 43.3%.

Megjithatë, për nga numri i delegatëve, zonja Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit, vazhdon të kryesoj me 1,778, derisa Sanders ka 1,097 delegatë.

“Me fitoren tonë sonte në Viskonsin, ne tash kemi triumfuar në 7 prej 8 zgjedhjeve partiake dhe në të gjitha ato kemi fituar pothuajse bindshëm”, tha Bernie Sanders para mbështetësve.

Në Partinë Republikane në Viskonsin ka fituar senatori, Ted Cruz, me 48.3% të votave, ndërsa favoriti, Donald Trump, fitoi 35.1% të votave.

“Si rezultat i sontëm, si rezultat i popullit të Viskonsinit duke i sfiduar mediat, duke i sfiduar ekspertët, jam gjithnjë e më tepër i bindur se fushata jonë do t’i fitoj 1,237 delegatë të nevojshëm për ta fituar nominimin republikan”, tha republikani, Ted Cruz.

Megjithatë, tash për tash, zoti Trump ka më së shumti delegatë - 743, ndërsa Cruz është i dyti me 510 delegatë.

XS
SM
MD
LG