Ndërlidhjet

logo-print

Në mesnatë pritet të shpërndahet Kuvendi i Maqedonisë


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Të mërkurën në mesnatë hyn në fuqi vendimi për shpërbërjen e Kuvendit të Maqedonisë, i miratuar më 23 shkurt nga përbërja aktuale, pas konstatimit se ende nuk ishin përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.

Vendimi i radhës për shpërbërjen e institucionit ligjëvënës i hapë tani rrugën 5 qershorit, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, për të cilën po ashtu ishin marrë vesh partitë politike në Maqedoni, me kusht që të përmbushen kushtet që kanë të bëjnë me çështjen e mediave dhe pastrimin e listës zgjedhore.

"Më 7 prill Kuvendi do të shpërndahet, pra deri të mërkurën në mesnatë mund të punojë me kapacitet të plotë, në përputhje me kushtetutën e vendin. Mendoj se kushtet për mbajtje të zgjedhjeve ka dhe unë si kryetar i Kuvendit mund të vendos që dekretimin e datës së zgjedhjeve, në vend të 7 prillit ta bëj deri më 15 prill,në mënyrë që t'i japë mundësi KSHZ-së për vazhdimin e disa punëve, nëse eventualisht ato nuk janë kryer.”

“Kjo ka të bëjë me Listën Zgjedhore, sepse shumë aktivitete në KSHZ gjatë zbatimit të zgjedhjeve varen nga dita e nënshkrimit të vendimit për shpallje të zgjedhjeve nga ana e Kryetarit të Kuvendit ", ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski.

Derisa për çështjen e mediave nuk është arritur asnjë marrëveshje, për pastrimin e listës së votuesve, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, ende nuk ka përfunduar kontrollin në terren të të dhënave të shtetasve me të drejtë vote, apo largimin nga lista të votuesve fiktivë.

Partitë politike në pushtet, në prononcimet e ditëve të fundit, janë shprehur se ka kushte për zgjedhje dhe se ato duhet të mbahen në afatin e përcaktuar. Sipas një njoftimi të Bashkimit Demokratik për Integrim, kryetari i saj, Ali Ahmeti, në një bisedë telefonike me eurokomisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn, ka shprehur gatishmërinë që të zbatohet deri në fund marrëveshja politike, e cila sipas tij, garanton zgjedhje të lira dhe të besueshme për të gjithë qytetarët.

Por, partia më e madhe e opozitës, Lidhja Social-demokrate, e cila merr pjesë me dy ministra në qeverinë kalimtare, ka thënë se është e gatshme për zgjedhje, me kusht që të plotësohen kushtet e parapara.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se më me rëndësi është përmbushja e kushteve, se sa data e zgjedhjeve.

“Me rëndësi është se duhet të kuptojmë mesazhet e qarta të bashkësisë ndërkombëtare se duhet të përmbushen kushtet, pavarësisht për cilën datë flasim, dhe duhet të gjithë të mendojmë vlerësimin që duhet t'ua bëjmë atyre zgjedhjeve”, ka deklaruar kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Ndërkombëtarët, nga ana tjetër, nuk janë shprehur sikurse herën e kaluar, kur rekomanduan shtyerjen e zgjedhjeve, por ftuan partitë që të punojnë për zgjedhje të besueshme.

“Në veçanti inkurajoj të gjitha institucionet shtetërore që të mbështesin punën e KSHZ-së në pastrimin e listës zgjedhore. I ftoj të gjitha partitë që të punojnë bashkërisht, me qëllim që të sigurohen zgjedhje të besueshme dhe të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo do të ndihmojë në kthimin e besimit të qytetarëve tek institucionet“, ka deklaruar drejtori i Drejtorisë për Zgjerim i BE-së, Kristian Danielson, pas takimeve që ka pasur ditë më parë në Shkup, me drejtues të partive politike.

Nga ana tjetër, lidhur me zgjedhjet janë prononcuar edhe dhjetëra organizata joqeveritare, të cilat kërkuan shtyrjen e datës së zgjedhjeve, me arsyetimin se ende nuk janë plotësuar kushtet kryesore për mbajtjen e tyre.

Sektori civil vlerëson se, pa marrëveshjen për reformat në media dhe pastrimin e listës zgjedhore, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG