Ndërlidhjet

logo-print

Bashkimi Evropian pret vendimin e Holandës lidhur me Ukrainën


Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se BE-ja do të presë propozimin e qeverisë holandeze rreth hapave të saj të ardhshëm, pas refuzimit të holandezëve përmes referendumit që ta përkrahin traktatin BE-Ukrainë.

“Unë jam në dijeni për rezultatet e referendumit në Holandë”, ka thënë sot Tusk, i cili po e kryeson samitin e liderëve të BE-së.

“Do të vazhdoj të jem në kontakt me kryeministrin holandez, Mark Rutte, pasi më duhet t’i dëgjoj konkluzionet e tij dhe të qeverisë së tij, pas këtij referendumi, dhe se cilat janë qëllimet e tij.Marrëveshja BE-Ukrainë do të vazhdojë të aplikohet përkohësisht. Kjo marrëveshje veçse është ratifikuar nga 27 shtete anëtare”, ka thënë Tusk.

Ndërkohë, qeveria holandeze tha se do të duhet ta rikonsiderojë ratifikimin e një traktati që synon realizimin e lidhjeve më të ngushta mes BE-së dhe Ukrainës, pasi shumica e votuesve holandezë refuzuan një pakt të tillë, pas votimit të djeshëm në referendum.

Transmetuesi holandez NOS raportoi se pjesëmarrja në referendum ishte 32.2 për qind e 13 milionë votuesve në Holandë, pak më shumë se 30 për qindëshi i nevojshëm për të qenë i vlefshëm votimi.

Me të gjitha votat e numëruara, komunat kanë raportuar rezultatet e referendumit te agjencia kombëtare e shërbimit zgjedhor.

Rezultatet zyrtare nuk do të dihen deri më 12 prill, por ato paraprake tregojnë se në mesin e atyre që kanë votuar, 61.1 për qind e kanë refuzuar paktin me Ukrainën, ndërsa 38.1 për qind e votuesve e kanë përkrahur atë.

“Është e qartë se shumica e votuesve kanë thënë ‘Jo’, por shtrohet pyetja nëse pjesëmarrja në referendum është e mjaftueshme”, ka thënë kryeminsitri holandez, Mark Rutte, gjatë një reagimi televiziv.

“Nëse pjesëmarrëja është 30 për qind, dhe një numër aq i madh i thonë ‘Jo’ një pakti të tillë, atëherë nuk është aq e lehtë të ratifikohet marrëveshja”, ka shtuar ai.

Votimi tregon një skepticizëm të thellë për pozitën e Holandës në Evropë dhe zgjerimin e BE-së në lindje, për të përfshirë ish-shtetet sovjetike në bllok.

XS
SM
MD
LG