Ndërlidhjet

logo-print

E ardhmja rrezikon t’i ngjajë së kaluarës


Një mbështetës i Sheshlit mban një flamur ku shkruan se “Kosova serbe”. Beograd, mars 2015.

Një mbështetës i Sheshlit mban një flamur ku shkruan se “Kosova serbe”. Beograd, mars 2015.

Shkruan: Gordana Knezheviq, gazetare e Radios Evropa e Lirë

Nëse Vojisllav Sheshel do të shpallej “i pafajshëm” një ditë më vonë, do ta merrja këtë lajm si shaka të 1 Prillit. Sigurisht nuk është dhe ky gabim tragjik i drejtësisë kërcënon të gjitha përfitimet potenciale që Bosnje dhe Hercegovina dhe rajoni mund t’i kenë nga dënimi i Radovan Karaxhiqit nga e njëjta gjykatë. Po ashtu shtrohet pyetja: Sa mund ta minojë besimin tonë në drejtësi një vendim i një gjykate ndërkombëtare dhe ta shndërrojë një kriminel lufte në hero?

Ka pasur reagime të fuqishme emocionale ndaj vendimit në kryeqytetet e Ballkanit: Beograd, Sarajevë, Zagreb, Podgoricë dhe në qytetet si Tuzlla apo fshatrat si Hrtkovci, i spastruar etnikisht në vitin 1992 nga Shesheli dhe njësitet e tij paraushtarake. Edhe më dëshpëruese se vendimi kanë qenë argumentet e dhëna nga gjykatësit e Hagës, ka shkruar eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, në reagimin e tij të menjëhershëm pas lajmit për lirimin e Sheshelit.

Gjykatësit kanë konstatuar se ai nuk ka qenë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por thjesht për propagandim të nacionalizmit etnik. Megjithatë, Sheshel nuk ka folur vetëm. Pos retorikës për krijimin e “Serbisë së madhe”, të pastër etnikisht, ai ka ndihmuar në krijimin e njësiteve paraushtarake për të realizuar planin e tij. Paraushtarakët serbë kanë dëbuar dhjetëra mijëra myslimanë dhe kroatë nga shtëpitë e tyre në lindje të Bosnjës dhe përreth Sarajevës, duke vrarë së paku 900 njerëz. Prokurorët kanë thënë se do ta apelojnë vendimin për lirimin e tij, por dëmi tashmë është bërë dhe është vështirë të gjendet justifikim për gjyqtarët e Hagës.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, mund të bëhet viktimë e vendimit. Edhe pse ka shumicë të rehatshme në Kuvendin serb, ai ka kërkuar zgjedhje të reja, që janë caktuar për datën 24 prill, për të forcuar mandatin e tij. Në atë kohë, ai nuk ka pasur arsye të brengoset, sepse opozita ka qenë e ndarë dhe e dobët. Partia Radikale Serbe e Sheshelit, që i takon ekstremit të djathtë, ka qenë forcë margjinale vetëm një javë më parë. Megjithatë, në realitetin e ri, pas vendimit të Hagës, Sheshel është bërë hero i ri i Serbisë dhe një “i shenjtë” kombëtar.

Ai është shfaqur nëpër pano thuajse ka vrarë dragoin e gjykatës së urryer ndërkombëtare. Lirimi i tij është festuar jo vetëm në selinë e partisë së tij në Beograd, por në shumë vende në Serbi dhe në Republikën Sërpska, ku Gjykata e Hagës shihet si entitet “anti-serb”. Në një kulturë politike me paranoja dhe teori konspirative, Vuçiq vështirë beson se Gjykata e Hagës nuk brengoset për zgjedhjet në Serbi. Duke folur në një konferencë për media në Beograd, Vuçiq me hidhërim ka pyetur nëse Gjykata ka qenë në dijeni për zgjedhjet e ardhshme kur ka shpallur vendimin. “Ajo e ka ditur”, ka thënë ai, duke iu përgjigjur pyetjes së tij retorike.

Në nëntor të vitit 2014, Gjykata e Hagës e ka shpallur Sheshelin si “të sëmurë rëndë” dhe i ka dhënë atij lirim të përkohshëm. Dy vjet më vonë, fushata e tij zgjedhore papritmas ka marrë vrull. Pasi ka “mposhtur” Hagën, ai tani premton se do ta risjellë Kosovën në Serbi dhe se do të ndërtojë marrëdhënie më të fuqishme me Rusinë.

Të gjitha fantazmat e luftërave të fundit në Ballkan po kthehen në rajon. Veteranët e luftës, me aftësi të kufizuara, në qytetin Tuzlla të Bosnjës, i cili ka vuajtur shumë gjatë luftës së viteve 1992-95, kanë kritikuar ashpër Hagën për vendimin për Sheshelin dhe kanë bërë një parashikim të zymtë: “Tani për tani mbetemi në veshje civile, por në konferencën e ardhshme për media do t’i veshim uniformat tona ushtarake”. Ata që kanë humbur gjymtyrët e tyre ose janë plagosur rëndë në konflikt, janë të gatshëm të luftojnë përsëri. Për herë të parë qysh nga lufta, ata kanë bërë një zotim të tillë në publik.

Në fshatin Hrtkovci të provincës serbe të Vojvodinës, shumë banorë padyshim se kanë qenë të lumtur për lirimin e Sheshelit nga të gjitha akuzat. Kjo do të thotë se ata nuk duhet të brengosen më për ish-fqinjët e tyre kroatë, të cilët janë detyruar të largohen nga shtëpitë si pasojë e një fushate të orkestruar të dhunës dhe kërcënimeve. Më 6 maj të vitit 1992, Shesheli personalisht ka kryesuar aktin final të dëbimit, duke folur para një asambleje të fshatit, ku janë lexuar emrat e atyre që duhet të largohen.

Një kroat kokëfortë që ka mbetur në fshat, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 31 mars se miqtë e tij që janë larguar, kanë pasur thika në fyt. Ka pasur vrasje, sulme, rrahje dhe kërcënime për më shumë dhunë. Por, gjykatësit e Hagës kanë konstatuar se këta njerëz kanë pasur dëshirë që t’iu bashkohen të afërmve të tyre etnikë përtej kufirit në Kroaci dhe se njësitet paraushtarake të Sheshelit u kanë ndihmuar atyre. Rreth 25,000 njerëz janë dëbuar nga Vojvodina dhe 25 janë vrarë, vetëm për shkak se kanë pasur mbiemra të gabuar.

Kujtesa ime personale për Sheshelin shkon në fund të vitit 1991, kur ai ka hartuar një listë famëkeqe të gazetarëve në Beograd që duhen vrarë. Në mesin e tyre ka pasur myslimanë, kroatë dhe madje serbë që kanë refuzuar të mbështesin nacionalizmin ekstrem. Në mesin e tyre ka qenë mikja ime e mirë, Azra Nuhefendiq, gazetare e lindur në Sarajevë, e cila ka punuar për Radio Beogradin për mbi dhjetë vjet.

Kur lista është bërë publike, i kam telefonuar Nuhefendiqit dhe i kam thënë të vijë në Sarajevë. Ajo ka refuzuar idenë e ikjes nga Beogradi dhe ka thënë se është kureshtare të dijë se si do ta humbasë punën. Ajo nuk ka pritur gjatë. Një ditë, kartela e saj për stacionin e radios thjesht ka ndaluar së funksionuari dhe Nuhefendiq nuk ka mundur të hyjë në dhomën e lajmeve. Nuk ka pasur as njoftim të shkruar, ose ndonjë tjetër formal.

Shpejt pas kësaj, qyteti im, Sarajeva, është rrethuar, derisa Shesheli ka qenë i zënë me fushatën e tij të spastrimit etnik në Vojvodinë. Kohë pas kohe, kam marrë letra të shkurtra nga Nuhefendiq, që më janë dorëzuar nga gazetarë të huaj që kanë përcjellë luftën në Ballkan. Ajo ka qenë ende në Beograd, duke punuar si përkthyese. Ka qenë subjekt i vizitave të policisë sekrete serbe natën vonë dhe i kërcënimeve të përditshme. Megjithatë, duke qenë atje, ajo ka mundur të ndihmojë prindërit e saj të bllokuar në Grbavicë, një pjesë e Sarajevës që është kontrolluar nga serbët gjatë luftës. Paratë që i ka fituar, i ka shpenzuar në vezë, miell, kripë, vaj dhe gjëra të tjera ushqimore, të cilat i ka paketuar dhe i ka nisur me konvoje humanitare, të organizuara nga ADRA, një organizatë humanitare e drejtuar nga kisha Adventiste, ose me gazetarë të huaj.

Nuhefendiq ka besuar se nëse gazetarët e huaj shihen herë pas here në vendin e prindërve të saj, kjo do t’i rriste shanset e tyre për të mbetur gjallë. Lajmi se njerëzit me mbiemra myslimanë janë vrarë në Grbavicë, ka arritur tek ajo me ata që kanë bërë udhëtimin në drejtim të kundërt.

Pas dënimit të Karaxhiqit për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, ka pasur shpresa reale se Bosnja dhe Serbia do të tërheqin një vijë nën të kaluarën e afërt dhe do të lëvizin përpara. Pastaj ka ardhur vendimi për Sheshelin. Nëse spastrimi etnik mund të interpretohet si “rivendosje humanitare”, ashtu siç është përcaktuar shpesh nga autorët e tij, atëherë e kaluara është duke u rishkruar. E ardhmja rrezikon t’i ngjajë së kaluarës.

Lexoni edhe këtë:

Hija e verdiktit ndaj Sheshelit

Përktheu: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG