Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Ish-gjenerali serb arrestohet në Merdare


Në pikën kufitare në Merdare u arrestua personi, Milovan Bojaniq, ish-gjeneral i ushtrisë jugosllave dhe serbe, që njëkohësisht ishte shumë i afërt me Sllobodan Millosheviqin, ka njoftuar sot nëpërmjet një kumtese, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë.

Ky ish-gjeneral i ushtrisë serbe është në ndalim policor dhe “ka dyshime se ka përgjegjësi për krime kundër civilëve të paarmatosur shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë në periudhën 1998 – 1999”.

Mëtutje, KMDLNj thotë se ai “ka pasur përgjegjësi komanduese dhe ka udhëhequr operacionet e ushtrisë serbe në rajonin e Llapit, sikur që nën përgjegjësinë e tij kanë qenë forcat paramilitare dhe policore serbe që kanë bërë krime të shumta kundër civilëve, prej vrasjeve individuale deri te vrasjet në masë. Këto krime deri më sot kanë mbetur të pandëshkuara përveç se është mbajtur një gjykim i improvizuar në Beograd për vrasjen e anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Gashi”.

Sipas informatave të KMDLNj –së gjatë luftës së fundit në Kosovë, në rajonin e Llapit janë vrarë 499 persona, dhe 98 të vrarë në masë, ndërsa konsiderohen si të zhdukur 53 civilë.

XS
SM
MD
LG