Ndërlidhjet

logo-print

Këshilli NATO-Rusi takohet pas dy vjetësh


Pamje gjatë një takimi të mëparshëm ndërmjet Stoltenbergut (djathtas) dhe Lavrovit

Pamje gjatë një takimi të mëparshëm ndërmjet Stoltenbergut (djathtas) dhe Lavrovit

NATO-ja ka shpallur se do të mbahet një takim në kuadër të Këshillit NATO-Rusi në nivel të ambasadorëve, në selinë e aleancës në Bruksel, në dy javët e ardhshme.

Në njoftimin e sotëm theksohet se në Këshillin NATO-Rusi do të diskutohet “kriza në dhe rreth Ukrainës dhe nevoja për implementim të plotë të marrëveshjeve të Minskut”.

“Ne do të diskutojmë për aktivitetet ushtarake, me fokus në transparencë dhe reduktim të rrezikut”, thuhet në njoftimin e NATO-s dhe shtohet se, po ashtu, do të diskutohet për Afganistanin dhe kërcënimet rajonale.

Në prill të vitit 2014, NATO-ja i ka pezulluar të gjitha bashkëpunimet praktike me Rusinë, për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë, përfshirë aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në mars të vitit 2014.

Prej atëherë, Këshilli NATO-Rusi është takuar vetëm njëherë, në qershor të vitit 2014.

Përkundër raporteve të tensionuara, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pasur pak takime me ministrin e jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, gjatë viteve të fundit.

XS
SM
MD
LG