Ndërlidhjet

logo-print

Sheshelit i ndalohet hyrja në Kosovë


Vojsllav Sheshel

Vojsllav Sheshel

Një javë pasi u lirua nga akuzat për krime lufte, ultra-nacionalistit serb, Vojsllav Sheshel, i është ndaluar hyrja në Kosovë dhe është shpallur person i padëshiruar në këtë vend, ka njoftuar sot Ministria e Punëve të Jashtme.

Vendimi i 31 marsit i Tribunalit të Hagës për ta liruar Sheshelin nga të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftërat e Ballkanit, në vitet ’90, ka shkaktuar zemërim në mesin e viktimave.

Vendimi u kritikua menjëherë nga Bosnja dhe Kroacia. Disa orë pas shpalljes së vendimit, Zagrebi ia ndaloi Sheshelit hyrjen në Kroaci, përderisa Sarajeva tha se po e konsideronte një masë të ngjashme.

“Hyrja e Sheshelit nuk lejohet në Kosovë për arsye që tashmë janë të qarta për mijëra viktima të fjalëve dhe veprave të tij vdekjeprurëse në Ballkan”, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, Petrit Selimi, ministër i Jashtëm i Kosovës.

Shesheli, i cili planifikon të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit në Serbi, ka thënë se ai dëshiron ta vizitojë Kosovën.

Selimi shpjegoi se bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Prishtina e ka fjalën e fundit lidhur me lejimin e zyrtarëve të mëparshëm apo të tanishëm serbë për të hyrë nga Serbia në Kosovë.

XS
SM
MD
LG