Ndërlidhjet

logo-print

Kushtetuta, tetë vjet me sfida


Nga ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,8 vjet më parë.

Nga ceremonia e nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,8 vjet më parë.

Gjatë tetë vjetëve, që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e deri më sot, aktin më të lartë juridik të vendit e kanë përcjellë dhe vazhdojnë ta përcjellin sfidat e ndryshme, vlerësojnë zyrtarë të institucioneve të larta të Kosovës, si dhe ekspertë të çështjeve juridike dhe kushtetuese në vend.

Ata thonë se zbatimi i kësaj kushtetute në tërë territorin e Kosovës, ka qenë dhe mbetet një nga sfidat kryesore, ashtu sikurse edhe të kuptuarit e interpretimit të Kushtetutës dhe të tjera.

Hajredin Kuçi, aktualisht zëvendëskryeministër i Kosovës dhe ministër i Drejtësisë, gjatë një seminari që është mbajtur në Prishtinë, me temën “Kushtetuta e Republikës së Kosovës 8 vjet pas: vlerat, sfidat dhe perspektiva”, ka thënë se Kushtetuta ka për qëllim ruajtjen e sistemit unik në tërë territorin e Kosovës.

Sipas, tij nuk është faji i kësaj Kushtetute për krijimin e dilemave nëse ajo po zbatohet edhe në veri të vendit, por është mungesa e kapaciteteve zbatuese, si dhe mungesa e gatishmërisë së ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në këtë rast.

Ndër sfidat tjera përballë Kushtetutës, gjatë këtyre viteve, sipas Kuçit, kanë qenë misionet ndërkombëtare në Kosovë, prania e të cilave në vend nuk është mbi bazën e Kushtetutës së Kosovës, por mbi bazën e dokumenteve ndërkombëtare, sikurse Rezoluta 12 44 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, Kuçi ka theksuar se sfidë tjetër ka qenë edhe zbatimi i Kushtetutës përballë funksionimit të institucioneve, ku shpeshherë është tentuar që problemet politike të zgjidhen përmes kushtetutshmërisë. Ndryshimet kushtetuese vazhdojnë të mbeten sfidë, ka theksuar zëvendëskryeministri Kuçi.

“Tek amendamentimi ka qenë dhe mbetet sfidë edhe sot e kësaj dite, mënyra e amendamentimit. Kërkimi i shumicës apo dy të tretave të shumicës, po e quajmë në këtë rast, shqiptare, si dhe e shumicës nga të tjerët, minoritetet, besoj që është një sfidë”.

“Ndoshta, me një atraktivitet po e quajmë se në të ardhmen duhet të mendojmë që kjo duhet të ruhet vetëm për interesat vitale të minoriteteve apo të komuniteteve, siç i quajmë në Kushtetutë, por jo edhe për të gjitha çështjet që janë me rëndësi për vendin, sikurse që është tash FSK-ja (Forca e Sigurisë së Kosovës) apo diçka tjetër”, ka thënë Kuçi

Kuçi ka shtuar se interpretimi i Kushtetutës ka qenë dhe mbetet sfidë e veçantë dhe, sipas tij, për aq sa kuptohet drejt Kushtetuta nga cilido qytetar dhe institucion, për aq edhe do ta ketë fuqinë e zbatimit në praktikë.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se bazuar në përvojën e deritashme, Kushtetuta e Kosovës ka nevojë për rishikim, por sipas tij, bazamenti i saj, nuk duhet dhe nuk do të ndryshojë.

Enver Hasani, ish- kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e lirë, se sfida kryesore përballë Kushtetutës së vendit ka qenë dhe mbetet, mospërputhja, sipas tij, ndërmjet tekstit kushtetues dhe kulturës materiale të shoqërisë së Kosovës.

“Çdo interpretim i Kushtetutës, për cilado çështje qofshin, domosdo që shkakton keqkuptime, derisa të formësohet identiteti kushtetues i Kosovës, sipas tekstit aktual që ekziston. Pak a shumë, këtë sfidë e kanë hasur gati se të gjitha shoqëritë e ish-lindjes komuniste”, ka potencuar Hasani.

Por, Osman Ismajli, profesor në pension i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se brenda Kushtetutës së Kosovës, ka edhe gjëra, që ai i quan, të tejkaluara. Sipas tij, në Kushtetutat e vendeve të rajonit, nuk ekzistojnë kapitujt për komunitetet e veçanta.

“Asnjë kushtetutë e rajonit nuk i pranon pakicat dhe as që i përmend. Ata quhen qytetarë. Prandaj, kur thuhet ‘qytetarë të barabartë’, nuk ka nevojë të thuhet ‘njerëz të veçantë’, sepse nuk ka njerëz të veçantë. Ky është problemi".

"Rreth 10 faqe, do të thotë, afër 10 nene në Kushtetutë i kushtohen komunitetit, përveç edhe te kapitujt te të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo është e tepruar. Këto duhet të ndryshojnë, por Ahtisaari ua ka futur ‘këmbët në një këpucë’, sepse kërkohet kjo vota e dyfishtë e serbëve. Kjo reflekton politikë. Prej këtu del politika”, vlerëson Ismajli.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar më 9 prill të vitit 2008, bazamentin e ka në Dokumentin e Ahtisaarit, mbi bazën e të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG