Ndërlidhjet

Greqia kritikon Maqedoninë për dhunën ndaj migrantëve


Idomeni, 10 prill 2016.

Idomeni, 10 prill 2016.

Autoritetet greke kanë kritikuar policinë e Maqedonisë për përdorim të forcës kundër migrantëve.

Të dielën, policia maqedonase ka sulmuar me gaz lotsjellës migrantët në kalimin kufitar Idomeni, pasi ata kanë bërë përpjekje të kalojnë gardhin që ndan Maqedoninë prej Greqisë.

George Kyritsis, zëdhënësi i koordinatorit për migracionin në Qeverinë e Greqisë, ka thënë se përdorimi i forcës nga autoritetet e Maqedonisë është “akt i rrezikshëm dhe i mjerë”.

Achilleas Tzemos, nga organizata bamirëse Mjekët pa Kufij, ka thënë se tre njerëz të përfshirë në përleshje, janë dërguar në spital.

Agjencia Associated Press ka raportuar se policia e Maqedonisë ka përdorur edhe granata tymi dhe plumba gome kundër migrantëve, të cilët janë përgjigjur duke hedhur gurë në drejtim të policisë.

Policia greke, ndërkaq, nuk ka intervenuar.

Përleshjet kanë nisur pasi një turmë prej 500 njerëzish ka reaguar ndaj zërave se kufiri do të hapet.

Kur një gjë e tillë është mohuar nga policia e Maqedonisë, rreth 100 migrantë, përfshirë fëmijë, kanë bërë përpjekje të kapërcejnë gardhin.

Janë mbi 11,200 njerëz të bllokuar në kalimin kufitar Idomeni në veri të Greqisë, pasi vendet e Ballkanit kanë mbyllur kufijtë qysh në mes të shkurtit.

XS
SM
MD
LG