Ndërlidhjet

Programi raketor i Iranit “nuk është i negociueshëm”


Ilustrim
Ilustrim

Ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se Teherani nuk do të negociojë me Shtetet e Bashkuara për programin e tij raketor.

Programi raketor dhe “aftësitë mbrojtëse të Republikës Islamike të Iranit nuk janë të negociueshme”, ka thënë Mohammad Javad Zarif të dielën, pas takimit me homologen estoneze, Marina Kaljurand.

Zarif ka thënë se marrëveshja bërthamore, që është arritur midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, nuk e përfshin programin raketor të Iranit, i cili, sipas autoriteteve atje, ka vetëm qëllime mbrojtëse.

Në përputhje me marrëveshjen bërthamore, të arritur vitin e kaluar, Irani ka kufizuar ndjeshëm programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Zarif po ashtu ka thënë se nëse Uashingtoni e ka seriozisht për çështjet e mbrojtjes në Lindjen e Mesme, ai duhet të ndalojë shitjen e armëve në Izrael dhe në Arabinë Saudite.

Komentet e Zarifit janë reagim ndaj deklaratave të Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili, më 7 prill, ka thënë se SHBA-ja është e hapur për “marrëveshje të re” me Iranin, për të zgjidhur në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet në lidhje me provat e tij raketore.

Irani ka kryer disa prova raketore muajve të fundit dhe është thënë se disa prej raketave kanë kapacitet të bartin koka bërthamore.

Zarif ka akuzuar po ashtu SHBA-në se ngre akuza “të pabaza” kundër Iranit, ndërkohë që disa aleatë të SHBA-së në rajon “mbështesin grupin ekstremist Shteti Islamik”.

XS
SM
MD
LG