Ndërlidhjet

logo-print

Vizita historike e Kerryt në Hiroshimë

  • RFE /RL

Hiroshimë, 11 prill 2016.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka bërë vizitë historike në Memorialin e Hiroshimës në Japoni, i cili përkujton sulmin e parë bërthamor në botë.

Ai është sekretari i parë amerikan i Shtetit që ka vizituar këtë vend, ku, më 1945, SHBA-ja ka hedhur bombë atomike, duke vrarë rreth 140,000 persona.

Kerry është shoqëruar nga ministrat e Jashtëm të G7-ës, apo grupit të shtatë fuqive ekonomike, të cilët janë mbledhur në Hiroshimë për një samit dyditor.

Ata kanë vënë kurora me lule në memorial dhe kanë mbajtur një minutë heshtje.

Ministrat kanë vizituar edhe Muzeun e Hiroshimës, i cili tregon histori personale të njerëzve që kanë vdekur.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

Hiroshimë, 11 prill 2016.

“Është një kujtesë e zymtë, e ashpër, imponuese, jo vetëm për detyrimin tonë për t’i dhënë fund kërcënimit me armë bërthamore, por edhe për të bërë të gjitha përpjekjet për të shmangur luftën”, ka shkruar Kerry në librin e mysafirëve në muze.

“Të gjithë në botë duhet të shohin dhe të ndjejnë fuqinë e këtij memoriali”, ka shkruar tutje Kerry.

Më 6 gusht të vitit 1945, në orën 08:10, sipas kohës lokale, një bombardues amerikan ka hedhur bombën me uranium, me nofkën “Djali i vogël”, në Hiroshimë.

Rreth 70,000 njerëz kanë vdekur menjëherë. Edhe një herë aq kanë vdekur deri në fund të vitit si pasojë e plagëve dhe e efekteve të rrezatimit.

Kjo bombë, si dhe bomba e dytë atomike e hedhur në Nagasaki tre ditë më vonë, ka detyruar Japoninë të dorëzohet, duke çuar edhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, ka vizituar Hiroshimën në vitin 2008, por diplomatët amerikanë janë munduar të shmangin vizitat zyrtare.

Shumë në Shtetet e Bashkuara mendojnë se bombardimet kanë qenë të nevojshme për të përfunduar luftën dhe nuk duan që vendi i tyre të ndërmarrë ndonjë hap, i cili mund të shihet si kërkimfalje.

Kerry ka thënë se vizita e tij në Hiroshimë “kujton të kaluarën dhe nderon ata që janë shkatërruar” dhe ka theksuar se udhëtimi i tij është “për të tashmen dhe për të ardhmen”.

Vizita e Kerryt po ashtu është zhvilluar në kohën e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Japonisë, sidomos pas shqetësimeve që ka shkaktuar këmbëngulja e Kinës në kontestet territoriale në Azi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të ndjekë një samit të G7-ës në Japoni në muajin maj dhe ka zëra se ai është duke shqyrtuar edhe ndalesën në Hiroshimë.

Nëse kjo ndodh, ai do të jetë presidenti i parë amerikan në detyrë që viziton Hiroshimën.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG