Ndërlidhjet

Cameron i adresohet parlamentit lidhur me ‘Letrat e Panamasë’


Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron gjatë një adresimi të mëhershëm para parlamentit
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron gjatë një adresimi të mëhershëm para parlamentit

Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron ka folur sot para Parlamentit në Londër, lidhur me akuzat se ai dhe babai i tij mund të kenë përfituar nga investimet jashtë vendit, të prezantuara në të ashtuquajturat ‘Letrat e Panamasë’.

Ai tha se dje ka publikuar të gjitha informatat lidhur me kthimin e taksave, jo vetëm për vitin e kaluar, por për gjashtë vitet e fundit. Ai gjithashtu ka publikuar edhe informacione të tjera lidhur me paratë e trashëguara nga familja e tij, në mënyrë që, siç ka thënë Cameron, njerëzit të shohin se nga e ka prejardhjen pasuria e tij.

“Publikimi i informacioneve për taksat e kryeministrit në këtë mënyrë është i paprecedent, por mendoj se kjo është gjëja e duhur për tu bërë. Por, të jem i qartë - unë nuk besoj se kjo duhet të aplikohet edhe te anëtarët e tjerë të parlamentit”, ka thënë Cameron.

Ai ka shtuar se është e drejtë të forcohen ligjet dhe të ndryshohet kultura rreth investimeve, për ta minimizuar dhe dekurajuar shmangien nga tatimet. Por, ka shtuar ai, duhet bërë dallimi mes skemave që dizajnohen artificialisht për t’i reduktuar taksat dhe atyre që inkurajojnë investimet.

XS
SM
MD
LG