Ndërlidhjet

logo-print

Bashkimi Evropian i zgjat edhe për një vit sanksionet ndaj Iranit


Ilustrim

Ilustrim

Bashkimi Evropian i ka zgjatur edhe për një vit sanksionet kundër Iranit, për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Në një deklaratë të lëshuar sot, BE thotë se kjo masë përfshin 82 njerëz dhe një subjekt.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se BE ka imponuar ngrirje të aseteve dhe ndalesa në udhëtim kundër Iranit që nga viti 2011,për shkak të “shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut” dhe se këto masa janë ripërtrirë vazhdimisht.

Muajin e kaluar, Irani reagoi egërsisht ndaj një raporti të fundit të Kombeve të Bashkuara, lidhur me të drejtat e njeriut në vend, duke thënë se ai ishte “i anshëm, diskriminues dhe politikisht i motivuar”.

Raporti i OKB-së tregonte se, në mes tjerash, në vitin 2015 Irani kishte kryer afërsisht 1,000 ekzekutime, që është “shifra më e lartë në mbi dy dekada”. Në mesin e të ekzekutuarve kishte edhe shumë të mitur, thuhet në raport.

Bashkimi Evropian ishte ndërmjetësues në marrëveshjen e korrikut të vitit 2015 me Iranin, sipas së cilës Irani u pajtua që ta ndalojë programin e vet bërthamor, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike nga fuqitë botërore.

XS
SM
MD
LG