Ndërlidhjet

logo-print

Raporti i Freedom House, pasqyrim i realitetit në Kosovë


Analistët politik dhe përfaqësuesit e partive politike opozitare në Prishtinë, vlerësojnë se raporti i fundit i organizatës joqeveritare Freedom House, ku flet për sfidat e funksionimit të shtetit të Kosovës, është real.

Përderisa nga partitë në pushtet nuk kishte prononcime, sipas përfaqësuesve të opozitës dhe analistëve politik, raporti ka përshkruar në mënyrën me të drejtë gjendje në të cilën ndodhet Kosova tash e një kohë.

Analisti, Imer Mushkolaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se udhëheqësit politik në Kosovë raportin duhet ta marrin si një kritikë, pasi që siç thotë ai, aty tregohet qartë se udhëheqësit kosovarë të vetmen gjë që e kanë bërë është akomodimi në pozita për interesa personale.

"Raporti konsideroj se është real, madje duke pasur parasysh situatën në të cilën gjendet vendi tash, unë besoj se do të duhej të ishte edhe më ashpër sidomos sa i takon aspektit të shtet-ndërtimit".

"Ne e dimë tashmë fatkeqësisht që shumica e liderëve institucional, nuk është se kanë bërë punë të madhe, respektivisht nuk kanë bërë punë për shtet-ndërtim, edhe ashtu të brisht të Kosovës. Gjithçka që kanë bërë, ka qenë më shumë akomodimi i interesave personale dhe i një rrethi të ngushtë", ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, jo vetëm tash, por edhe në të kaluarën, njerëzit që kanë qeverisur me vendin nuk kanë punuar sa duhet dhe si pasojë e kanë sjellë Kosovën në bllokadën në të cilën ndodhet aktualisht.

Mes tjerash në raport është theksuar se shtet-ndërtimi në Kosovë është futur në “rrugë pa krye” dhe se strukturat qeveritare, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin.

Me ketë konstatim janë pajtuar edhe përfaqësuesit e partive politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në raportin e organizatës Freedom House ka vërtetuar së paku tri gjera që Lëvizja Vetëvendosje është duke i theksuar vazhdimisht.

"Këto janë se shteti i Kosovës po rrënohet nga kjo qeveri, pra po defunksionalizohet dhe po shpërbëhet. E dyta është që Kosova po rrëshqet në një regjim autoritar dhe kjo theksohet në raport ku Kosova përshkruhet si regjim gjysmë i konsoliduar autoritar. Dhe e treta është që marrëveshjet me Serbinë dhe procesi i dialogut çdo herë e më shumë e kanë humbur legjitimitetin dhe janë shndërruar në procese të papëlqyera për qytetaret e Kosovës", ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq, Muharrem Nitaj, anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se vlerësimet të cilat i ka bërë Freedom House janë më të rëndat të cilat janë dëgjuar ndonjëherë.

"Kjo është tepër shqetësuese. Për mendimin tonë jo vetëm që është real po në fakt kjo është tepër shqetësuese. Ky vlerësim mund të jetë akoma më i ashpër. Ka disa muaj që ne si parti politike opozitare në Kosovë e kemi ngritur këtë shqetësim i cili po thuajse është i njëjti dhe që gjithmonë i kemi qëndruar pikë për pikë, por që mbase mund të jetë edhe më i fortë që pushteti në Kosovë e ka kapur shtetin", u shpreh Nitaj.

Ai ka thënë po ashtu se i gjithë shteti i Kosovës është në duart e 100 personave të cilët e kanë fuqinë politike e financiare.

"Ky duhet të jetë një alarm i jashtëzakonshëm, unë do të thosha edhe për komunitetin ndërkombëtar i cili ka investuar shumë në shtetin e Kosovës dhe se nuk bën të tërhiqet aktualisht. Kosova ende ka nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar", ka thënë Nitaj për Radion Evropa e Lirë.

Në raportin e Freedom House, Kosova zë pozitën më të keqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sa i përket papunësisë. Norma e përgjithshme e papunësisë në Kosovë, në vitin 2014, ka qenë mbi 30 për qind, ndërsa e të rinjve 61 për qind.

Në raportin e organizatës Freedom House, mbi të drejtat politike dhe liritë civile, Kosova është radhitur si pjesërisht e lirë, edhe për vitin 2015.

Lexoni edhe këtë:

Shtet-ndërtimi i Kosovës "në rrugë pa krye"

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG