Ndërlidhjet

OKB interviston kandidatët për sekretar të përgjithshëm


Kombet e Bashkuara
Kombet e Bashkuara

Kombet e Bashkuara kanë mbajtur një seancë dëgjimore, për të ndihmuar në zgjedhjen e sekretarit të ri të përgjitshëm, duke e bërë transparent një proces sekret, zakonisht të dominuar nga Këshilli i Sigurimit dhe vendet e përhershme anëtare.

Seanca u ka dhënë vendeve anëtare për herë të parë mundësinë për t’iu shtruar pyetje kandidatëve për një varg çështjesh, sikurse abuzimi seksual nga paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara, apo rezistenca ndaj presionit të vendeve të fuqishme.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshiq, ishte njëri nga tetë kandidatët që u përball me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme.

Si ish-kryeministër dhe ministër i Jashtëm, ai ka folur për diversitetin multietnik të vendit të tij ballkanik.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova, dhe ish-shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Antonio Guterres, janë po ashtu kandidatë.

Tradicionalisht, pozita e sekretarit të përgjithshëm ka kaluar me rotacion ndërmjet rajoneve, përderisa Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Evropa, të gjitha kanë pasur rastin të mbajnë këtë post të lartë.

Vendet e Evropës Lindore, përfshirë Rusinë, thonë se nuk kanë pasur asnjëherë ndonjë sekretar të përgjithshëm dhe se tani është radha e tyre.

Katër burra dhe katër gra janë duke u konsideruar për këtë post, në mesin e të cilëve gjashtë vijnë nga Evropa Lindore.

Kandidatët e tjerë janë ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Srgjan Kerim, ish-ministrja e Jashtme kroate, Vesna Pusiq, ish-presidenti slloven, Danilo Turk, dhe ish-ministrja e Jashtme e Moldavisë, Natalia Gherman.

XS
SM
MD
LG