Ndërlidhjet

logo-print

Gashi: LDK në partneritet me parti më të vogla, jo më me PDK-në


"LDK-ja tashmë është në fazën ku nuk duhet të ketë vija të kuqe për askënd", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Megjithatë, në vend të PDK-së, Gashi preferon që LDK të përcaktohet për partneritet me parti më të vogla politike.

Sa u përket zhvillimeve në Kuvend, Gashi mendon se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi vështirë se do të ratifikohet ashtu si është, kurse për atë për Asociacionin e komunave serbe, parasheh që çështja të mbetet komplekse.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Gashi, pas gjashtë - shtatë muajve të tensioneve në Kuvend, tani opozita është larguar. Aty duket më qetë, por sa është e shëndetshme për demokracinë e një vendi, funksionimi i Kuvendit pa opozitën?

Arben Gashi: Në demokraci opozita është pjesë e rëndësishme e shtetit. Në rastin e Kosovës, sjellja e opozitës në muajt e fundit ka qenë rrezik permanent për demokracinë dhe rrezik permanent edhe për mënyrën e sjelljes dhe mendimit politik në Kosovë. Mendoj se duhet të gjendet një modalitet prej të cilit do të dilnin të gjithë të kënaqur me një rezultat dhe askush i mundur në kuptimin e mundjes finale në humbjen politike apo betejën politike e cila është zhvilluar, sepse ka shkuar një kohë shumë e gjatë edhe nuk mendoj se është i gatshëm askush të humb. Në këto rrethana duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për Kosovën dhe të mos rrezikohet stabiliteti.

Mendoj se ideja e formimit të shtetit të Kosovës është ideja e gjithëpërfshirjes dhe nëse opozita në total është e pa përfshirë, kjo nënkupton që sistemi nuk po funksionon mirë, përderisa në kemi ndërtuar një shtet i cili garanton mekanizma të përfshirjes të të gjithë palëve, përfshirë edhe minoritet etnike.

Mendoj se duhet të krijohen po ashtu mekanizma tashmë politik, jo kushtetues dhe ligjor, por politik që të kemi përfshirjen edhe të opozitës për të parë se cilat janë problemet më të cilat ballafaqohen dhe cila është arsyeja e vërtetë që ata po mbajnë protesta. Nëse janë vetëm ato dy temat për të cilat ata janë deklaruar, mendoj se për të dyja temat ka zgjidhje dhe mund të tejkalohet kjo situatë.

Radio Evropa e Lirë: Këta muajt e fundit dëgjuam aq shumë përplasje mendimesh në lidhje me Asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, por zhvillimet në Kuvend pamundësuan debatin në këtë institucion. Çfarë pozicioni konsideroni se do të duhej të merrte Kuvendi karshi këtyre dy çështjeve?

Arben Gashi: Mendoj se të dyja çështjet janë shqetësuese. Për çështjen e demarkacionit të kufirit, Kuvendi ka mundësi për të marrë një vendim së shpejti dhe do të marr vendim në kuptimin e ratifikimit ose mosratifikimit të marrëveshjes dhe me sa shihet krejt indikacionet janë se marrëveshja nuk do të arrij t'i garantojë numrat e domosdoshëm në Kuvend që të kalojë si e tillë.

Mendoj se Kuvendi do të ketë kohën kur do të diskutojë për ketë temë dhe kur do të marr vendim. Ndërsa, sa i përket çështjes së Asociacionit është shumë më komplekse se është një proces ndërkombëtar dhe një proces i cili mënyra se si është dizajnuar është problematik. Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin e vet lidhur me marrëveshjen e dytë për Asociacionin dhe pothuajse në të gjitha pikat ka vlerësuar se është tejkalim i autorizimeve kushtetuese, organizimit kushtetues e të tjera.

Në këto rrethana ka qenë një element i cili e ka zbutur rrezikun e Asociacionit, por, që rreziku i Asociacionit dhe mënyra se si është konceptuar është rrezik permanent. Mendoj se shoqëria kosovare duhet të jetë më e gatshme dhe politika si udhëheqëse e shoqërisë kosovare duhet të jetë e gatshme që të ofrojë alternativa dhe të parandalojë rrezikun permanent të krijimit të një entiteti me shumicë etnike serbe i cili do të jetë rrezik i vazhdueshëm për qëndrueshmërinë institucionale dhe shtetërore të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Sa janë reale pritjet e disa subjekteve politike që vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Cili është mendimi i juaj?

Arben Gashi: Këto janë dy elemente në aspektin teknik dhe matematikor vendi nuk shkon në zgjedhje sepse shumica qeverisëse i ka mbi 89 deputet. Në aspektin politik në çdo moment partitë politike mund të marrin vendim që të kthehen të votuesit dhe të kërkojnë nga votuesit vlerësimin e tyre për punën ose mos punën. Këto janë dy çështje që duhet të ballafaqohen. Në aspektin teknik thash nuk ka një problem të tillë, por në aspektin demokratik mendoj se me ngjarjet që kanë ndodhur në muajit e fundit do të ishte normale në një fazë të caktuar, më dakordimin e të gjitha palëve që të shkohej tek sovrani, populli, dhe t'i kërkohej votëbesimi i tij, për të vazhduar qeverisjen apo për të ndryshuar qeverisjen.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund t’i kthehemi edhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vazhdimisht kemi parë një grup të deputetëve në Kuvend, që nuk i mbështesin të gjitha politikat e qeverisë aktuale. A mendoni se ka nevojë për riokompozime të kësaj qeverie apo ku qëndrojnë problemet?

Arben Gashi: Është normale që deputetët të kenë të drejtën e tyre të menduarit dhe të artikularit politik dhe artikulimi i tyre politik i ka disa faza. Njëra prej fazave është përmes propozimeve, diskutimeve në Kuvend dhe faza tjetër është nëpërmjet vendimit, votimit në Kuvend. Dhe normalisht mosvotimi i disa çështjeve të caktuara ka të bëjë më shtyllat programore, shtyllat ideologjike të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mënyrën se si deputetë të caktuar mund të shohin zgjidhjen e çështjeve të caktuara. Dhe sa i përket riformatimit të qeverisë kjo mbetet në dorën e kryeministrit dhe kryesisë se partisë për të vendosur nëse dikush duhet të marrë ndonjë pozicion tjetër apo të ri-pozicionohet në aspektin e marrjes se përgjegjësisë publike në qeverisjen e vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të bëjë këtë vlerësim dhe nëse konstaton se dikush nga ministrat nuk e ka kryer punën si duhet ose mund të jap një kontribut më të mirë në ndonjë pozicion tjetër atëherë duhet të ri pozicionojë. Po nëse vlerëson se gjithë çka është në rregull atëherë mund të vazhdojë.

Personalisht mendoj se ministrat nga radhët e LDK-së nuk kanë qenë politikisht aktiv në këta shtatë muajt e fundit. Kjo nënkupton në këndvështrimin tim se ministrat nga radhët e LDK-së, nuk kanë arritur që të artikulohen politikisht dhe programin politik të LDK-së më të cilin LDK-ja pre-supozohet se ka ardhur në pushtet nuk kanë arritur që ta zbërthejnë në aktivitete dhe po ashtu nuk kanë arritur që t'i tregojnë qytetarëve të Kosovës për veprimet të cilat po i bëjnë dhe sidomos për krizën politike në të cilën ka kaluar Kosova.

Ministrat e LDK-së nuk kanë arritur të pozicionohen saktë dhe të kenë një frymë sqaruese dhe një frymë përfaqësuese të vullnetit apo të elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Prandaj mendoj se këto janë sfida të cilat do të duhej të merren parasysh edhe nga qeveria edhe kryeministri edhe LDK-ja, në mënyrë që të garantohet një stabilitet politik edhe në vend, dhe brenda elektoratit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Gjatë dy viteve të fundit, LDK krijoi një aleancë me partinë më të madhe, PDK-në. Besoni se do të vazhdojë ky partneritet edhe në proceset e ardhshme zgjedhore?

Arben Gashi: Mendoj se ky partneritet nuk duhet të vazhdojë në proceset zgjedhore. Ndërsa, sa i përket proceseve qeverisëse mendoj se LDK-ja tashmë është në fazën ku nuk duhet të ketë vija të kuqe për askënd, sepse vijat e kuqe LDK-së i kanë kushtuar, por të kemi parasysh që po flasim për dy koncepte; koncepti elektoral ku LDK-ja duhet të shkojë si koncept elektoral vetëm dhe me partnerë të tjerë me të vegjël, por jo me një partner me të madh.

Kjo nënkupton se Lidhja Demokratike e Kosovës për mendimin tim është e paarsyeshme që të shkojë në zgjedhje me Partinë Demokratike të Kosovës. Ndërsa, sa i takon formimit të qeverisë duhet të shihet pas daljes se rezultatit zgjedhor dhe me pretendimet që LDK-ja të jetë partia e parë apo parti fituese në Kosovë dhe si parti fituese të përcaktojë se kush do të jetë partneri i vet qeverisës.

Sistemi elektoral në Kosovë dhe sidomos sistemi i vendeve të rezervuara nuk favorizon shumë një parti që të udhëheq, prandaj ka imponuar edhe disa lloje të koalicioneve në vazhdimësi që kanë qenë jo shumë të arsyeshme në aspektin demokratike, por në aspektin pragmatik kanë qenë të arsyeshme dhe është vepruar ashtu.

LDK-ja mund të ketë koncepte të cilave ju vendos vija të kuqe dhe ka me siguri koncepte dhe mund të ketë, dhe ka individë të cilëve mund t'ju vendos vija të kuqe. Çka nënkupton kjo, disa skema programore, ose disa elemente të programeve të partive politike, sidomos në raport me ekonominë dhe me marrëdhëniet ndërkombëtare, për parti të caktuara mund të jenë të papranueshme për LDK-në, po ashtu siç mund të jenë disa individ brenda partive të caktua për shkak të së kaluarës ose të tashmes kriminale të papranueshme për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe nëse arrihet të zgjidhen këto elemente mendoj se mund të bëjë koalicion me cilëndo parti apo subjekt politik në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG