Ndërlidhjet

Një delegacion nga FIFA dhe UEFA po qëndron në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Në Kosovë po qëndron një komision i përbashkët i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) dhe Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA) i cili po bën një lloj inspektimi para marrjes së vendimit rreth anëtarësimit të Kosovës në këto organizata.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte nikoqir i delegacionit të përbërë nga Şenes Erzik, zëvendëspresident i UEFA-s, Peter Gilliéron, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Thierry Favre, drejtues për zhvillim të federatave kombëtare, dhe Luca Nicola, përgjegjës për federatat anëtare të FIFA-s.

“Kosova dëshiron dhe e meriton që së shpejti të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA. Kemi talente në mbarë botën, që mezi presin të mbrojnë ngjyrat e Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga FIFA ishte kumtuar paraprakisht se Federata e Futbollit të Kosovës mund të bëhet anëtare e kësaj organizate nëse paraprakisht anëtarësohet në UEFA. Në lidhje me këtë anëtarësim, pritet që vendimi të merret me 3 maj, në kongresin e EUFA-s, që do të mbahet në Budapest. Në rast se pranohet në UEFA, atëherë Kosova pret që të votohet për pranimin e saj edhe në FIFA në kongresin që do të mbahet në Meksiko Siti, më 13 maj.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka thënë se komisioni që po qëndron në Kosovë ka kompetenca ekzekutive dhe se pas vizitës menjëherë do t’i informoj kongreset e UEFA-s dhe FIFA-s në lidhje me vlerësimet e bëra.

“Kanë ardhur që të informohen nga dora e parë dhe të shohin se sa është real aplikimi ynë”, ka thënë Salihu.

“Mund t’ju them me siguri të plotë, që ata kanë deklaruar se aplikimi është I shkëlqyeshëm dhe real dhe për këtë arsye kemi caktuar takime me udhëheqësit e lartë, kryeministrin, ministrin e sportit”, ka thënë Salihu.

Në janar të vitit 2014, FIFA i kishte lejuar Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare miqësore, por me disa kufizime. Ndeshjen e parë miqësore, të nivelit ndërkombëtarë dhe me lejen e FIFA-s, Kosova ka luajtur me 5 mars të vitit 2014, me përfaqësuesen e Haitit.

Që atëherë, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës ka zhvilluar një varg takimesh miqësore ndërkombëtare, në Kosovë dhe jashtë saj.

XS
SM
MD
LG