Ndërlidhjet

Dhjetëra të lënduar dhe arrestuar nga protestat e dhunshme në Shkup


Protestuesit në Maqedoni përleshen me policinë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:52 0:00

Protestuesit në Maqedoni përleshen me policinë

Në Shkup, protestat e së mërkurës gjatë mbrëmjes, kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të amnistuar politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale, janë përshkallëzuar në dhunë.

Disa protestues janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar në stacione policore.

Situata ka eskaluar në momentin kur forcat e policisë kanë tentuar të ndalojnë turmën e protestuesve që të mos demolojë zyrën e presidentit.

Por, një pjesë e Zyrës Popullore të Presidentit të Maqedonisë është djegur tërësisht.

Protestuesit kanë gjuajtur me vezë dhe gjësende të forta edhe Ministrinë e Drejtësisë, por forcat policore kanë arritur t’i shpërndajnë prej atje.

Disa mijëra protestues, nën organizimin e organizatës joqeveritare “Protestoj”, janë mbledhur kundër vendimit të presidentit Ivanov për të falur të gjithë politikanët dhe personat e tjerë, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për vepra të rënda kriminale si: falsifikim i zgjedhjeve, shkatërrim i aparaturave me të cilat janë kryer përgjime, pedofili, keqpërdorime financiare dhe shpërdorime tjera të detyrës zyrtare.

Protestuesit kanë thënë se presidenti mund “t'i falë kriminelët, por këtë nuk do ta bëjë populli”.

Minsiria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka njoftuar se nga protestat janë arestuar 12 protestues derisa 1 është i lënduar.

Përderisa, organiztat joqeveritare thonë se numri i të lënduarve gjatë përleshjes me policinë është shum më i madh.

Ndaj vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për të falur politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale ka reaguar fuqishëm edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga njoftimi i Presidentit të Maqedonisë, Ivanov, për të falur personat që i nënshtrohen hetimit në lidhje me skandalin e përgjimeve. Nëse zbatohet, ky vendim do të mbrojë zyrtarët e korruptuar dhe do t’u mohojë drejtësinë qytetarëve të Maqedonisë".

"Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje presidentit Ivanov ta rishqyrtojë vendimin e tij, dhe të lejojë që Zyra e Prokurorisë Speciale e themeluar në kuadër të marrëveshjes politike të Përzhinës, t’i hetojë akuzat serioze për shpërdorim nga qeveria si dhe të lejojnë gjykatat të bëjnë punën e tyre. Inkurajojmë qeverinë dhe palët politike të vazhdojnë të punojnë në reformat që synojnë forcimin e institucioneve demokratike dhe do ta kthejnë Maqedoninë në rrugën drejt zgjedhjeve të besueshme dhe integrimeve euroatlantike”, theksohet në reagimin e Departamenti amerikan të Shtetit.

Paraprakisht partia maqedonase në pushtet Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, e cila ka grumbulluar nënshkrimet e 37 deputetëve ka kërkuar të thirret Parlamenti në një mbledhje të jashtëzakonshme për të kërkuar përgjegjësi nga presidenti Ivanov për vendimin e tij të fundit.

Por, Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanoski, ka refuzuar të ftojë Parlamentin, që sipas tij ka mundësi ligjore për një gjë të tillë. Veljanovski thotë se Parlamenti tashmë është shpërndarë, dhe në bazë të Kushtetutës së Maqedonisë, Parlamenti në një situatë të këtillë mund të thirret vetëm në gjendje të jashtëzakonshme, edhe atë katastrofave natyrore ose gjendje lufte.

Por, ish deputeti Sulejman Rushiti thotë se Maqedonia ndodhet në situatën më kritike që nga pavarësia e saj.

“Unë nuk e di se ç'farë gjendje tjetër të jashtëzakonshme pret kryetari i parlamentit Trajko Veljanovski. Kjo në të cilën ndodhet tani Maqedonia është krizë e thellë dhe nuk besoj se ka pasur ndonjë herë tjetër, përfshirë këtu dhe situatat e rënda siç ishte konflikti i armatosur gjat vitit 2001".

"Maqedonia është në prag të luftës civile, dhe kjo luftë civile mund të ndërpritet vetëm me largimin e kësaj klase politike, oligarkie kriminale do të thosha e cila e ka sjellë vendin në këtë gjendje”, tha Rushiti.

Gjatë të enjtes, Prokuroria Speciale e Maqedonisë ka paralajmëruar se do të dalë me akuza të reja ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit për përfshirje në vepra kriminale.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë për Radion Evropa e Lirë ka demantuar informacionet në disa media se ky institucion do të mbajë një seancë në të cilën do të shfuqizohet vendimi për themelimin e Prokurorisë Speciale të Maqedonisë.

Nga Gjykata Kushtetuese megjithatë nuk kanë dhënë detaje se kur do të diskutohet nisma për shfuqizimin e Prokurorisë Speciale e iniciuar nga kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov i cili është i afërt me VMRO DPMNE-në e ish kryeministrit Nikolla Gruevski.

Opozita maqedonase e Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, kanë theksuar se shfuqizimi Gjykatës Kushtetuese për themelimin e Prokurorisë Speciale do të rrënonte gjithë procesin për zgjidhjen paqësore të krizës dhe protestat në rrugë mbeten si alternativë e vetme.

Përderisa, ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily përmes një postimi në rrjetin social Tëitter, ka theksuar se vendimi i presidentit Ivanov nënkupton falje për politikanët e korruptuar.

Baily tha se “falja pa mbaruar procesi gjyqësor i mbron politikanët e korruptuar dhe bashkëpunëtorët”, duke aluduar në të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit për të cilët Prokuroria Speciale ka nisur hetimet.

XS
SM
MD
LG