Ndërlidhjet

Në Kosovë është ri-aktualizuar sërish debati për aplikimin e mësimit për fenë në kuadër të sistemit arsimor fillor dhe të mesëm.

Katër vite më parë kishte mendime kundërthënëse, për dhe kundër futjes së edukatës fetare në plan-programet mësimore në shkollat publike

Bashkësia Islame e Kosovës pati insistuar që një gjë e tillë të bëhet, duke argumentuar se kështu nuk do të kishte devijime nga tradita islamike e kultivuar me vite në Kosovë. Derisa, disa komunitete tjera fetare ishin kundër një ideje të tillë.

Sidoqoftë, Ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lëndë në institucionet arsimore, dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore.

Në nenin tre të Ligjit, ku flitet për parimet e përgjithshme të arsimit parauniversitar, thuhet se “institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare ose veprimtaritë tjera, të cilat propagandojnë një fe të caktuar”.

Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovë nuk kanë dashur të prononcohen.

Kushtrim Shkodra, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se nuk kanë asnjë koment lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Teknologji në Kuvendin e Kosovës, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Kosova nuk praktikon futjen e lëndëve fetare nëpër shkolla.

“Në Kuvendin e Kosovës ka ardhur Ligji për arsim dhe në ligj nuk kemi asnjë vend ku kërkohet që të futet lënda fetare nëpër shkolla. Ne kemi pasur kërkesa nga Bashkësia Islame, por duke llogaritur Kushtetutën tonë që shtetin tonë e definon shtet laik, ne si shtet i Kosovës dhe në bazë të Kushtetutës kemi dashur t’i ikim futjes së lëndëve fetare nëpër shkolla. Megjithatë, në Kosovë ekzistojnë edhe shkollat fetare, siç janë Medreseja e shkolla tjera fetare”, thekson Hasani.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multietnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të cilave janë të ndryshme.

Edhe Shpejtim Bulliqi, anëtar i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Teknologji në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se futja e lëndës fetare në shkolla duhet të analizohet në të ardhmen, por që aktualisht mjafton ajo çfarë praktikohet në plan-programet shkollore.

“Meqë lënda e edukatës qytetare është duke u mbajtur në nivel të shkollave tona dhe që një pjesë e përmbajtjes së kësaj lëndë trajtohen këto çështje, për këtë fazë të zhvillimeve në të cilat ndodhet Kosova, kishte me qenë e mjaftueshme, për më vonë ndoshta ka mundësi eventualisht të analizohen të gjitha parakushtet dhe të merret një vendim i cili është meritor në këtë çështje”, thekson Bulliqi.

Në anën tjetër, ekspertë të çështjeve të arsimit e vlerësojnë si të panevojshme aplikimin e lëndës për fenë në kuadër të sistemit publik të arsimit fillor dhe të mesëm.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Popovci, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se në shkollat e Kosovës do të ishte mirë të mësohej për fetë, por jo në formë të lëndëve të veçanta.

“Unë mendojë se në shkollat tona duhet të mësohet për fenë, por nuk jam për mësimin fetar, pra ajo çka duhet të mësohet për fenë duhet të mësohet në kuadër të lëndëve të përshtatshme për diçka të tillë, siç është edukata qytetare më vonë sociologjia, filozofia e kështu më radhë”, thotë Popovci.

Popovci vlerëson se futja e mësim-besimit si lëndë e veçantë nuk do t’i ndihmonte avancimit të shoqërisë në Kosovë.

Ai shton se në disa vende të botës kjo lëndë është e përfshirë në plan-programet shkollore për shkak të traditës shekullore që e kanë mbi arsimin, mirëpo, në rastin e Kosovës, Popovci, thotë se tradita e shkollimit është relativisht e re, dhe se nuk ka nevojë për gjëra të tilla.

Nxënësit, familjet e të cilëve dëshirojnë që fëmijët ë tyre të njihen më tepër me besimet, thekson Popovci, mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre pranë institucioneve fetare të caktuara në mësim plotësues, ku ata do të merrnin atë lloj të njohurive.

“Nuk besoj se do të ndihmonte shumë në të kuptuarin e fesë për shkak se do të kishim probleme serioze për sigurimin e mësimdhënësve për një lëndë të tillë. Nëse opsion do të ishte që këtë lëndë ta mbajnë klerikët fetar atëherë konsideroj se kjo do ta orientonte shkollën në një drejtim krejt tjetër”, shton Popovci.

Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ishte ai i cili kishte thënë se shkollat publike duhet të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare.

Sipas kryeministrit Rama, kjo do të pajisë të rinjtë qysh në shkollë me disa njohuri bazë, për të kultivuar respektin për besimin e tjetrit dhe për të mos rënë pre e rrjeteve të propagandës ekstremiste, në emër të një feje apo kundër një feje tjetër.

Idenë e kryeministrit Rama për ta futur mësimin mbi fenë në shkolla, më pas e kanë komentuar edhe në Kosovë, përfshirë edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Debatet vazhdojnë të jenë për dhe kundër kësaj ideje, por aktualisht Kosova mbetet me ligjin që nuk e parasheh lëndën e edukatës fetare në shkolla.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG