Ndërlidhjet

logo-print

Kerry: Aeroplanët rusë kanë bërë provokim të rrezikshëm


John Kerry

John Kerry

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka dënuar veprimin e ushtrisë ruse për fluturimin e aeroplanëve luftarakë afër luftanijes së Shteteve të Bashkuara në Detin Baltik, duke thënë se incidenti i 12 prillit ishte provokim “i rrezikshëm” dhe “i pamatur”.

Zoti Kerry tha mbrëmë se luftanija amerikane, që ishte në ujërat ndërkombëtare, ka mundur t’i rrëzoj aeroplanët luftarakë rusë të tipit Su-24, sipas rregullave të angazhimit.

Ai theksoi se ka biseduar me zyrtarët në Moskë dhe shpreson se raste të fluturimeve të tilla nuk do të përsëriten.

Dje më herët gjatë ditës, Ministria e mbrojtjes e Rusisë e ka mbështetur aksionin e pilotëve rusë, duke thënë se ata i kanë respektuar të gjitha rregullat e sigurisë.

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se aeroplanët luftarakë rusë nuk ishin të armatosur, por i janë afruar aq afër luftanijes, U.S.S. Donald Cook, sa që kanë krijuar “valë në ujë”.

Reduktimi i rrezikut të konfrontimeve vdekjeprurëse ushtarake është në agjendë të takimit të Këshillit NATO-Rusi, që mbahet më 20 prill në Bruksel.

XS
SM
MD
LG