Ndërlidhjet

UNMIK-u “të mbahet përgjegjës” për helmimin e romëve


Leposaviq, Kosovë
Leposaviq, Kosovë

Dy ekspertë të pavarur të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje organizatës botërore që të zbatojë opinionin e Panelit Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut të Misionit të Përkohëshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili kërkon ta bëjë përgjegjës këtë mision, për shkak se ka lënë disa familje rome të jetojnë në kampe të helmuara.

Gjatë viteve 1998 dhe 1999, mijëra romë janë detyruar të largohen si pasojë e luftës në Kosovë dhe shumë prej tyre janë bërë të zhvendosur ose refugjatë në vendet fqinje dhe në Evropë.

Kampet e të zhvendosurve janë krijuar në fund të viteve 1990 pranë kombinatit Trepça, i cili është i njohur si shkak i kontaminimit me plumb dhe forma të tjera të ndotjes toksike qysh në vitet 1970.

Kampet, që fillimisht kanë qenë të parapara për strehim të përkohshëm deri në 90 ditë, kanë qenë në funksion për disa vite.

Opinioni i Panelit ka nxjerrë në pah kushtet jashtëzakonisht të këqija në kampe, si: mungesa e ujit, energjisë elektrike, ngrohjes, kujdesit shëndetësor apo qasjes në ushqim.

“E kam përcjellë këtë rast që nga fillimi. Është dëshpërues se në ndërkohë janë humbur jetë dhe shumë njerëz kanë vujatur pasoja serioze shëndetësore”, ka thënë raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara për çështjet e pakicave, Rita Izsák-Ndiaye.

Ky rast ka dalë në dritë në vitin 2008 nga një grup prej 138 pjesëtarësh të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, të cilët kanë qenë të vendosur në tri kampe të të zhvendosurve: Zhitkovac, Esmin Llug dhe Kablare, pasi Mëhalla e Romëve në Mitrovicën jugore është shkatërruar në vitin 1999.​


“Jam e lumtur që drejtësia po vihet për njërin prej komuniteteve më të privuara, që ka vuajtur nga konflikti, zhvendosja dhe neglizhenca”, ka thënë Rita Izsák-Ndiaye.

“Opinioni i Panelit të OKB-së tregon për shkelje të detyrimeve ndërkombëtare nga ana e UNMIK-ut dhe shpresoj se OKB-ja do ta shohë këtë si një mundësi për ta mbajtur veten përgjegjëse”, ka shtuar ajo.

Paneli rekomandon që UNMIK-u të pranojë publikisht, edhe përmes mediave, dështimin për të vepruar në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut dhe për të kompensuar viktimat edhe për dëmin material, edhe për dëmin moral.

Raportuesi i posaçëm për të drejtat e personave të zhvendosur brendapërbrenda, Chaloka Beyani, i cili ka vizituar familjet e prekura në veri të Mitrovicës në tetor të vitit 2016, ka thënë:

“Shpresoj të ketë kërkimfalje publike ndaj ankuesve dhe familjeve të tyre”.

Beyani po ashtu ka thënë se shpreson që gjetjet dhe rekomandimet e Panelit të shërbejnë si garanci që rastet e tilla të mos përsëriten.

Opinioni i Panelit thotë se pavarësisht faktit se UNMIK-u ka autorizuar një raport në vitin 2000, i cili ka gjetur nivele jashtëzakonisht të larta të plumbit në gjak te komunitetet që jetojnë në kampe, ai ka dështuar të marrë masa të mjaftueshme për të adresuar rreziqet. (v.tela)

XS
SM
MD
LG