Ndërlidhjet

Papa Françesku viziton Greqinë; lutet për zgjidhjen e krizës me migrantë


Papa Françesku, menjëherë pas arritjes në Greqi, 16 prill 2016
Papa Françesku, menjëherë pas arritjes në Greqi, 16 prill 2016

Papa Françesku ka realizuar një vizitë emocionale në qendrën e migrantëve në Greqi, një veprim që po konsiderohet i guximshëm, për të shprehur solidaritetin me migrantët, çështja e të cilëve ka turbulluar politkën evropiane.

Migrantët qanin, kërkonin ndihmë dhe binin te këmbët e Papës, derisa ai po vizitonte një qendër në ishullin e vogël të Lesbosit, i cili më së miri pasqyron krizën humanitare me të cilën po përballet Evropa.

Ata thërrisnin ‘liri, liri’ përderisa Papa ecte përgjatë kampit Moria, ku po mbahen rreth 3,000 migrantë që nga koha e arritjes së një marrëveshje të shumëfolur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

“Unë kam dashur të jem sot me ju. Unë dua t’ ju them se nuk jeni vetëm. Gjatë këtyre javëve dhe muajve ju keni përjetuar kaq shumë vuajtje, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej jush jeni detyruar të ikni nga situatat e konfliktit dhe përndjekjes, mbi të gjitha, për të mirën e fëmijëve tuaj”, ka thënë Papa Françesku.

Papa Françesku, lideri i 1.2 miliard katolikëve romanë në gjithë botën, gjithashtu ka kërkuar nga Evropa që të tregojë humanizëm gjatë trajtimit të krizës me migrantë.

“Këtë mesazh dua të lë sot për ju: mos e humbni shpresën! Dhurata më e madhe që mund t’i japim njëri tjetrit është dashuria: një vështrim i mëshirshëm, një gatishmëri për të dëgjuar dhe për të kuptuar, një fjalë inkurajimi, një lutje. Shpresoj ta ndani këtë dashuri me njëri-tjetrin”, ka thënë Papa.

Gjatë vitit të kaluar, me qindra njerëz që iknin nga zonat e luftës dhe varfëria kanë vdekur, gjatë kalimit të rrugës së rrezikshme nga Turqia për në ishullin grek të Lesbosit, me anije të gomës. Ishulli është i mbushur me varre të paemëruara.

“Ky udhëtim tregon pikëllimin tim”, u tha Papa Françesku gazetarëve gjatë udhëtimit nga Roma, duke e përshkruar krizën me migrantë si “katastrofën më të madhe humanitare që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Gjatë vizitës së tij gjashtë orëshe në ishullin grek, Papa u shoqërua nga lideri shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në botë, Patriarku Bartholomew, si dhe nga Kryepeshkopi grek, Ieronymos.

Raportohet se Papa Françesku ka marrë me vete në Itali 12 refugjatë, pas vizitës në ishullin grek Lesbos.

Agjencia e lajmeve Reuters thotë se Papa, në shenjë solidariteti me refugjatët, ka marrë në aeroplanin e tij tri familje nga Siria, në mesin e të cilëve gjashtë fëmijë.

Gjatë një takimi të shkurtër pas arritjes në aeroport, Papa Françesku e falenderoi kryeministrin grek, Alexis Tsipras për ‘mikëpritjen” që populli grek u ka bërë të huajve, pavarësisht problemeve ekonomike me të cilat po përballet vendi.

Tsipras i tha Papës se ai ndihet krenar për mënyrën se si janë përgjigjur grekët në raport me këtë krizë, në një kohë kur disa vende anëtare të BE-së “po ndërtonin mure dhe gardhe për t’i ndalur njerëzit e pambrojtur, që po kërkonin një jetë më të mirë.”

Organizatat humanitare i kanë përshkruar kushtet në Moria, një kamp ushtarak që nuk është më në përdorim, si të tmerrshme.

Bashkimi Evropian arriti një marrëveshje në muajin mars për të siguruar se të ashtuquajturit migrantë ekonmikë - të cilët kishin udhëtuar për në ishullin grek me anije të gomës, të udhëhequr nga kontrabanduesit -të dërgohen prapa në Turqi.

Turqia është pajtuar që t’i pranojë ata, në këmbim të miliarda eurove, një marrëveshje që ka zemëruar shumë grupe për të drejtat e njeriut.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG