Ndërlidhjet

logo-print

Qytetarët e Kosovës dhe Maqedonisë kalojnë kufirin me letërnjoftime


Zyrtarët e të dyja vendeve gjatë ceremonisë zyrtare të fillimit të zbatimit të marrëveshjes, 17 prill 2016, Han i Elezit

Zyrtarët e të dyja vendeve gjatë ceremonisë zyrtare të fillimit të zbatimit të marrëveshjes, 17 prill 2016, Han i Elezit

Ka hyrë në fuqi marrëveshja për udhëtimin me letërnjoftime mes Kosovës dhe Maqedonisë. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Në njoftim thuhet se në hapësirën ndërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Elezit dhe Bllacës, është mbajtur ceremonia për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Valdet Hoxha,theksoi se sot me këtë ceremoni po formalizohet në praktikë realizimi i marrëveshjes për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.

Ai ka shtuar se ky bashkëpunim po bëhet me qëllim të shërbimit të politikave lehtësuese në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Ndërsa, zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, tha se kjo tregon për bashkëpunimin e vendosur dhe të institucionalizuar bilateral ndërmjet të dyja vendeve.

Ai ka shtuar se me fillimin e funksionalizimit e marrëveshjes do të ketë lehtësim të udhëtimit për qytetarët e të dyja vendeve, duke i marrë parasysh edhe lidhjet e afërta tradicionale, familjare dhe miqësore, si dhe nevoja për kalim më të shpeshtë të kufirit të personave të zonës kufitare, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

XS
SM
MD
LG