Ndërlidhjet

logo-print

Ujë mjaftueshëm, por jo gjithmonë cilësor


Republika e Kosovës ka resurse të mjaftueshme ujore, të cilat burojnë brenda territorit të Kosovës.

Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, lidhur me ujërat në Kosovë, thuhet se rreth 70 për qind e popullatës furnizohet me ujë nëpërmjet sistemeve publike, kurse rreth 29 për qind furnizohen nga sistemet vetanake. Ndërkaq, 0.7 për qind e qytetarëve nuk kanë në dispozicion shërbime të ujësjellësit.

Në publikim thuhet se shumica e resurseve ujore të Kosovës burojnë brenda vendit, me përjashtim të pjesës së sipërme të lumit Ibër, i cili buron në Mal të Zi dhe rrjedh në Liqenin e Ujmanit.

Por, pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës, që llogaritet të jenë mbi 1.8 milionë banorë, ballafaqohen me mungesë të ujit të pijshëm apo edhe me reduktime të herëpashershme të ujit.

I gjithë ky problem qëndron për shkak të mosmenaxhimit apo shfrytëzimit në mënyrë të duhur të burimeve ujore në tërësi, thotë Skënder Bublaku, ekspert i ujërave.

Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka mjaftueshëm sasi të ujit të pijshëm, por, sipas tij, shfrytëzohet vetëm 20 për qind e tërësisë së ujit.

“Ky është defekti më i madh i shfrytëzimit apo menaxhimit të resurseve ujore që i kemi. Ndërsa, sa i përket furnizimit me ujë, mendoj se edhe një pjesë e madhe e rajoneve mund të kyçen në sistemet ekzistuese, kurse mund të gjenden alternativa të furnizimit me ujë të pijshëm nga burimet që posedojnë nëpër rajone që kanë komunat”, thotë ai.

Skënder Bublaku, i cili njëherësh është profesor në Universitetin e Prishtinës, e vlerëson të dyshimtë cilësinë e ujit të pijshëm në rajonet ku popullata furnizohet nga sistemet vetanake.

“Ata që përdorin ujin nga kompanitë publike, nuk duhet frikohen sa i përket cilësisë dhe furnizimit. Kurse, rajonet e ndryshme, zonat rurale që kanë sisteme të ujësjellësit, por që nuk menaxhohen, kanë një sistem vetanak të furnizimit, në shumicën e rasteve ka probleme me cilësi. Sidomos probleme me cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik, që nuk ka aparatura të vendosura për klorizim dhe dizenifektim. Dhe, në ato raste ku nuk kontrollohen nga Instituti, është problematike të thuhet se kualiteti i ujit është i mirë”, shprehet Bublaku.

Cilësia e ujit nuk është gjithmonë në nivel të duhur, jo vetëm në sistemet vetanake, por edhe në disa rajone të Kosovës, ku qytetarët furnizohen nga kompanitë e ujësjellësit.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në baza ditore bën analizat e ujit të pijshëm të kompanive publike.

Burbuqe Nushi, nga ky Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se cilësia e ujit është brenda standardeve të parapara, por në disa rajone herë pas herë ka probleme në këtë aspekt.

Duhet të potencoj se kemi disa pika variabile, siç është qyteti i Klinës që kemi kohë pas kohe kontaminim bakteror dhe ngritje të parametrave kimik dhe ndonjëherë kemi probleme edhe me qytetin eHanit të Elezit dhe me Skenderajn”.

“Kjo është për shkak të mosinvestimeve në njësinë operative në Klinë dhe Han të Elezit dhe për shkak të komunikimit të ujërave sipërfaqësore me ujin nga resursi ujor, konkretisht në Klinë”, shpjegon Nushi.

Hidrografia e rrjedhave ujore të Kosovës ndahet në 4 pellgje lumore: Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës, dhe Lepenci

Sipas publikimit të ASK-së, furnizimi i ekonomive familjare me ujë të pijshëm ka pësuar ndryshime nga viti në vit. Në vitin 2010 ishte mbi 41 milionë m³, ndërsa në vitin 2014 ka arritur rreth 47, milionë m³.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG