Ndërlidhjet

logo-print

Kalimi i kufirit Kosovë - Maqedoni, vetëm me letërnjoftime


Prej ditës së diel, 17 prill, ka hyrë në fuqi marrëveshja ndërshtetërore mes Maqedonisë dhe Kosovës, që qytetarët e të dy vendeve të mund të udhëtojnë vetëm me letërnjoftime.

Gjatë qëndrimit tonë në vendkalimin kufitar në Bllacë, mes Maqedonisë dhe Kosovës, qytetarët e dy vendeve kryesisht kanë shfrytëzuar letërnjoftimet në vend të pasaportave për të kaluar kufirin.

“Po më lehtë kalimi i kufirit vetëm me letërnjoftim, sepse më pak pritet këtu në pikën kufitare”, thotë Mersim Saiti, shtetas i Maqedonisë, i cili udhëtonte për në Kosovë.

Përderisa Aleksandar Petreski, i cili bashkë me familjen e tij ishte nisur të shkojë te disa miq në Prishtinë, kufirin e kaloi me pasaportë, sepse siç na tha, nuk ka qenë i informuar se mund të kalojë vetëm me letërnjoftim.

“Po radhës tjetër do të shohim të kalojmë vetëm me letërnjoftim. Në Kosovë unë kam miq, me të cilët më lidh biznesi dhe vendimi për të kaluar kufirin vetëm me letërnjoftim, në masë të madhe do të ma lehtësojë qarkullimin veçanërisht gjatë punës”, thotë ai.

Ndërkaq, Bekim Thaçi, shtetas i Kosovës, bashkë me familjen e tij ishte nisur për te familjarët në Shkup, thotë se heqja e pasaportave ka gëzuar një pjesë familjes së tij që akoma nuk kanë pasaporta dhe kjo u kishte pamundësuar që të jenë pjesë e gëzimeve familjare në raste të caktuara.

“Po e dimë që mund të kalojmë kufirin vetëm me letërnjoftim dhe jemi shumë të gëzuar, kalohet më lehtë kufiri dhe nuk maltretohemi me pasaportat që janë me afat të skaduar, për atë arsye jemi gëzuar”, thotë Bekim Thaçi.

Ndërkaq, Sefedin Kuçi thotë se meqë ka një shtëpi në Maqedoni dhe një në Kosovë, shpesh i bie të kalojë pikën kufitare në Bllacë dhe pasaporta i është stërbushur me vula.

“Po kam familje edhe andej dhe këndej kufirit nga të dyja anët, unë jam shtetas i Kosovës, por punën kryesisht e kam në Maqedoni ku kam dhe shtëpi, kështu që shpesh më bie të kaloj kufirin. Shpresoj që tani me letërnjoftime nuk do të ketë kolona makinash duke pritur dhe procedurat kufitare do të jenë më të shpejta”, shprehet ai.

Ndërkaq, Muhamed Hoxha nga Departamenti për informim në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë, thotë se synim i dy qeverive, Maqedonisë dhe asaj të Kosovës, do të mbetet hapja edhe e pikëve kufitare në rajonin e Karadakut për lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy shteteve.

“Me këtë marrëveshje, dukshëm do të lehtësohet qarkullimi i qytetarëve nga të dyja vendet, njëkohësisht dhe qarkullimi i mallrave nga Republika e Maqedonisë në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas”.

“Ne nuk do të ndalemi këtu, por do të vazhdojmë të angazhohemi për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave. Kështu që në fokus të angazhimeve tona, mbetet hapja e vendkalimeve të reja kufitare në rajonin e Kumanovës”.

“Të përkujtojmë se Maqedonia tanimë ka një marrëveshje për kalimin e kufirit edhe me Republikën e Shqipërisë dhe kjo bën që shqiptarët në rajon më lehtë të mund të lëvizin”, deklaron Hoxha.

Gjatë ditës së diel, në hapësirën ndërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Elezit dhe Bllacës, u mbajt ceremonia për hyrjen në fuqi të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Valdet Hoxha, theksoi se me këtë ceremoni, po formatizohet në praktikë realizimi i marrëveshjes për kushtet e udhëtimit me letërnjoftime për shtetasit e të dy vendeve.

Ai shtoi se ky bashkëpunim po bëhet me qëllim të shërbimit të politikave lehtësuese në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG