Ndërlidhjet

logo-print

Rama: SHBA presin miratimin e reformës në drejtësi


Pas kthimit nga vizita zyrtare në Shtetet e Bashkuara dhe takimit me presidentin amerikan Barack Obama, kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se Amerika pret që asnjë parti parlamentare të mos pengojë reformën në drejtësi.

“Nga miratimi i kësaj të fundit varet serioziteti i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së“,- tha kryeministri Rama.

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, e cilësoi vizitën e tij në SHBA një sukses të përbashkët, duke e ndarë rezultatin jo vetëm me deputetët e tij, por edhe me aleatët në qeverisje.

Ai ka folur përpara deputetëve të tij pë takimet që pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama dhe nënpresidentin Joe Biden, ku mori mbështetje për vazhdimin e reformave të nisura nga qeveria e tij.

Miratimi i reformës në drejtësi ishte edhe kryefjala e kryeparlamentarit Ilir Meta gjatë ceremonisë me rastin e 25 vjetorit të parlamentit të parë pluralist në vend mbas shembjes së regjimit komunist.

“Do të hyjmë në histori si parlamenti i reformës në drejtësi” – tha zoti Meta, duke theksuar se miratimi i kësaj reformë, jo vetëm do të rrisë besueshmërinë tek sistemi i drejtësisë si dhe do të afrojë edhe investitorët e huaj në Shqipëri.

Mbas reagimeve të Edi Ramës e Ilir Metës, duket se fjala e fundit e njëkohësisht edhe pesha e miratimit apo mosmiratimit të reformës do t’i mbetet kryetarit të PD-së Lulëzim Basha.

Deri më tani opozita ka qenë skeptike për ndryshimet kushtetuese që do t’i hapin rrugë miratimit të reformës dhe nisjes së zbatimit të saj, bazuar tek rekomandimet e komisionit të Venecias.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese duhen 93 vota, çka e bën të domosdoshme votën pro të opozitës, pasi koalicioni qeverisës sëbashku me aleatët kanë rreth 85 vota në Parlament.

Mbas nxitjes së pandërprerë të përfaqësuesëve të BE-së, thirrjes direkte për miratim nga Uashingtoni, pritet të shihet nëse reforma në drejtësi do të kalojë me votat e opozitës, do të kalojë me makinacione të blerjes së votës sa për të arritur kuorimin e duhur për pragun prej 93 votash, apo mosmiratimi i saj do të shënohet si dështimi i rradhës në politikën shqiptare.

XS
SM
MD
LG