Ndërlidhjet

Liderët ftohen në Vjenë për tejkalimin e krizës në Maqedoni


Komuniteti ndërkombëtar i ka ftuar përfaqësuesit e katër partive politike në Maqedoni në një takim në Vjenë për të gjetur një zgjidhje për daljen e vendit nga kriza pas revoltës së shprehur nga qytetarët përmes protestave ndaj vendimit të presidentit të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, që të falë të gjithë politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore dhe përfshirje në afera korruptive.

Nga partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se akoma nuk kanë marrë vendim se delegacioni i tyre do të shkojë në takimin e paralajmëruar të premten në Vjenë.

Përderisa VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, kanë thënë se do të marrin pjesë në takimin e Vjenës, por pa precizuar se në cilin nivel do të jenë të jenë të përfaqësuara këto parti.

Ndërkohë, nga Partia Demokratik Shqiptare nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Në bisedimet në Vjenë ka kërkuar të kyçet dhe iniciativa qytetare "Protestoj" e cila organizoi protestat gjatë dy javëve të fundit në Shkup.

Protestuesit kërkojnë të formohet një qeveri në nivel ekspertësh për ta përgatitur vendin për zgjedhje demokratike të cilat do të jenë të pranueshme për të gjitha palët.

Njohësi i çështjeve politike Mitko Gaxhovski, vlerëson se në Vjenë të gjitha mundësitë janë të hapura për diskutim, siç është prolongimi i datës së zgjedhjeve, tërheqja e vendimit të presidentit të Maqedonisë, deri tek arritja e një marrëveshjeje të re, atë të Vjenës.

“Vlerësoj se të gjitha variantet janë në lojë, do të thotë opozita mund të kërkojë që të tërhiqet vendimi I presidentit Ivanov për faljen e politikanëve dhe me këtë, kushtimisht thënë të ringjallet marrëveshja politike e Përzhinos. Gjithsesi pjesë e bisedimeve mund të jetë dhe prolongimi i zgjedhjeve derisa të pastrohet lista e votuesve dhe realizohen reformat në media përmes një ligji të ri që do të rregullojë punën e medieve".

"Nëse përfshihet në bisedime edhe sektori civil, atëherë në lojë do të jetë dhe kërkesa për formimin e një qeverie teknike e cila do të ndihmonte që vendi të kthehet në një normalitet”, nënvizon Gaxhovski.

Përderisa Mersel Billalli analist politik, thotë se nuk pret shumë nga takimi i Vjenës sepse sipas tij zgjidhje të situatës nuk mund të ofrojnë partitë të cilët e kanë çuar vendin në krizë.

Billalli ashtu si edhe si Gaxhovski konsideron se në bisedimet në Vjenë duhet të kyçet dhe sektori civil, që ka dëshmuar se ka kapacitet veprimi të konsiderueshëm përmes organizimit të protestave si dhe partitë e reja të cilat nuk janë të përfaqësuara në Parlament, sepse lindja e këtyre subjekteve është si rrjedhojë e pakënaqësisë së qytetarëve nga skena aktuale politike.

“Nuk pres diçka spektakolare nga vet fakti se në këtë takim nuk përfshihen liderët kyc, infomatat janë në atë drejtim se lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski nuk shkon atje, por një delegacion i kësaj partie dhe nëse vërtetë ndodh kështu, atëherë kemi të bëjmë vetëm me një takim kozmetik", thekson Mersel Billalli.

Edhe Piter Vanhoutte, i cili ishte ndërmjetësues në bisedimet mes katër partive kryesore politike në Maqedoni, në profilin e tij në Twiter ka shprehur habinë pse në takimin e Vjenës janë ftuar vetëm katër partitë VMRO DPMNE, Bashkimi Demokratik për Integrim, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe Partia Demokratike Shqiptare.

“Negociatat në Vjenë”, “Vetëm katër partitë janë ftuar? Nuk janë ftuar qytetarët? Nuk është ftuar sektori civil?”, ka pyetur Vanhoutte.

Ndryshe europarlamentarët e përfshirë në arritjen e marrëveshjes politike, i kanë ftuar katër liderët të cilët janë nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinos, të premten të takohen në Vjenë.

Në takim, sipas paralajmërimeve është ftuar edhe Eurokomesari për Zgjerim Johannes Hahn si dhe ambasadori i SHBA-së në Shkup Jess Baily dhe ai i BE-së Aivo Orav.

XS
SM
MD
LG