Ndërlidhjet

Serbia ndërmjet dy “të këqijave”, Vuçiqi apo Shesheli


Përderisa lideri i Partisë Progresiste Serbe, Aleksandar Vuçiq, po dërgon porosi të trilluara se mund t’i humbë zgjedhjet, në mënyrë që t’i motivojë edhe më shumë votuesit e tij, partitë opozitare, pak a shumë, në mënyrë të hapur, po i ofrohen mandatarit të ri ose po e paralajmërojnë fitoren e tyre, madje edhe ato parti që po luftojnë ta kalojnë pragun.

Hulumtuesit e opinionit në Serbi, vlerësojnë që situata është mëse e qartë dhe se nuk do të ketë shumë ndryshime në skenën politike, por në anën tjetër, ka edhe porosi të ndryshme që zgjedhjet në Serbi mund të sjellin befasi të mëdha.

Por, në opinion është nxitur polemika se a po afrohet koha kur, pas zgjedhjeve që priten të mbahen më 24 prill, Serbia do të duhet të zgjedhë ndërmjet të keqes së madhe apo të keqes së vogël, Aleksandar Vuçiqit apo liderit radikal, Vojislav Sheshel?

Gazetarja Olja Beçkoviq vlerëson se e një parashikim të tillë po e lanson kryeministri aktual dhe lideri i Partisë Progresiste, Alaksandar Vuçiq.

“Unë nuk po mendoj se e djathta po rritet, por mendoj se ai (Vuçiq) po e trillon këtë. Mendoj se një gjë e tillë është mënyrë se kinse ai po frikësohet dhe se po provon të na bindë se ai nuk është e keqja më e madhe që na ka ndodhur”, tha Beçkoviq.

Sociologia Vesna Peshiq, vlerëson se lideri radikal, Vojisllav Sheshel, do të arrijë rezultat të mirë në zgjedhje.

“Unë mendoj që Shesheli do të kaloj mirë, për shkak të vendimit gjyqësor që e ka liruar”, ka thënë Peshiq.

Sociologu Vladimir Iliq, në mënyrë disfatiste porositë që, siç e quan ai, “sheshelizimi” i Serbisë varet nga ajo që ndodhë në vendet, ndikimi i së cilave është më vendimtar për skenën politike vendore se sa vullneti i votuesve.

Ai konsideron se Shesheli ka shanse më të mëdha në rast se pushtetet në perëndim, siç thotë ai, përngjajnë në atë që ofron Shesheli.

“Shesheli nuk do të vijë në pushtet në qoftë se në Perëndim nuk ka pushtete të ‘sheshelizuara’. Ai mund të vijë në pushtet vetëm nëse në Perëndim do të dominojnë tendencat fashistizuese, për çka ka shenja, ndonëse është e rrezikshme që të parashikohet e ardhmja”, ka thënë Iliq.

Analisti Dragomir Angjelkoviq, i cili vlerësohet të jetë i afërt me progresistët që janë në pushtet, parashikon rritje të votave për Sheshelin.

“Mendoj që Shesheli gjithsesi do të shënojë ngritje, por nuk besoj që Serbia së shpejti do të gjendet para asaj që të zgjedhë ndërmjet Vuçiqit dhe Sheshelit. Por, mendoj se Shesheli, në të ardhmen, do të jetë faktor i cili do të ketë ndikim të rëndësishëm në proceset politike”, tha Angjelkoviq..

Por, sociologu Sreçko Mihajloviq, thotë se Shesheli nuk ka asnjë mundësi që ta rrezikojë Vuçiqin.

“Shesheli është politikan i ricikluar dhe suksesi i tij do të jetë vetëm që partisë së tij t’i sjellë aq vota sa për të hyrë në Parlament dhe kjo është e gjitha”, tha Mihajloviq.

Gazetarja Olja Beçkoviq, vlerëson se ndërmjet Vuçiqit dhe Sheshelit nuk ka ndonjë ndryshim.

“Kur voton për Vuçiqin, voton për Sheshelin. Kur voton për Sheshelin, voton për Vuçiqin. Nuk mendoj se ata janë persona të ndryshëm. Mendoj se ata janë i njëjti opsion. Kur Vuçiqi thotë se ne po zgjedhim ndërmjet të kaluarës dhe të ardhmes, ai në fakt po na thotë neve ‘po votoni ndërmjet të kaluarës sime dhe të ardhmes sime. Në përkthim, kjo do të thotë ‘unë përsëri mund të jem Sheshel, nëse nuk më doni si evropian”, theksoi Beçkoviq.

Sociologia Peshiq vlerësoi se votuesit serbë tashmë janë nën presionin e propagandës së partive në pushtet, presion i cili, sipas saj, nuk është parë as në kohën e Millosheviqit.

Kjo fushatë, sipas saj, e ka afektin e vet. Sipas saj, në Serbi po rriten forcat profashiste dhe ky është emërtim tjetër për forcat ultra-nacionaliste, ndërkohë që votuesit serbë gjenden në një situatë të errësuar.

XS
SM
MD
LG