Ndërlidhjet

Rusia shfrytëzon krizën në Maqedoni


Tensionet në Maqedoni kanë kulmuar. Për të dytën javë me radhë, në Shkup dhe qytete të tjera mbahen protesta kundër pushtetit.

Shkak është bërë vendimi i presidentit Gjorgje Ivanov për të falur dhjetëra politikanë, të akuzuar për shkelje nga më të ndryshmet.

Shqetësime kanë shprehur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, duke thënë se e ardhmja euro-atlantike e Maqedonisë është vënë në rrezik, por me teori më konspirative ka dalë Rusia.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka paralajmërur se përdorimi i “skenarit të Ukrainës” kërcënon destabilizimin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi.

Sipas Moskës zyrtare, opozita maqedonase është bërë instrument i Perëndimit, me qëllim pengimin e zgjedhjeve më 5 qershor, të cilat janë vlerësuar si mënyra e vetme për të dalë nga kriza e gjatë politike.

Zhaneta Trajkovska, drejtore e Shkollës për Gazetari dhe Marrëdhënie Publike në Shkup, thotë se Rusia do që të sigurojë më shumë hapësirë në Ballkan.

Nëse Maqedonia përafrohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, mundësitë për ndërhyrjen ruse janë më të vogla, thotë Trajkovska.

Sipas saj, Rusia e shfrytëzon krizën e tanishme në Maqedoni për vetëpozicionim dhe interesa të saj gjeostrategjikë në Ballkan.

“Me siguri bëhet fjalë për interesa të caktuar ekonomikë, për një bashkëpunim, për të cilin publiku nuk di shumë”, thotë Trajkovska.

Maqedonia është në krizë politike qysh vitin e kaluar. Një aferë e përgjimeve që është zbuluar nga opozita dhe ka treguar për keqëpërdorime të mëdha nga ana e pushtetit, ka shkaktuar krizën.

Muaj më vonë, është nënshkruar e ashtuquajtura Marrëveshje e Përzhinos, midis katër partive politike, mbi kushtet e mbajtjes së zgjedhjeve të drejta dhe demokratike.

Dimitar Bechev, nga Qendra Evropiane për Politika, thotë se Qeveria e Maqedonisë dhe ish-kryeminstri Nikolla Gruevski, njëherësh kryetar i partisë në pushtet VMRO-DPMNE, është përgjegjës për tensionet e fundit, sepse nuk i përmbushin obligimet e marra.

Bechev merr si shembull amnistinë për politikanët, e cila, sipas tij, nuk ka qenë e paraparë me Marrëveshjen e Përzhinos.

“Maqedonia është një vend i vogël dhe të gjithë e dinë se presidenti Ivanov varet plotësisht nga Gruevski. Presidenti maqedonas nuk e ka marrë vetëm këtë vendim, por natyrisht është koordinuar me Gruevskin”, thotë Bechev.

Ka zëra se Gruevski është aleat i Rusisë dhe se përpiqet të balancojë dhe kalkulojë midis Moskës dhe Brukselit.

Dhe, Rusia e shfrytëzon këtë situatë në Maqedoni, si dhe të gjitha krizat e tjera në botë, thotë Bechev.

Vëzhguesit paralajmërojnë se situata në Maqedoni do të përshkallëzohet tutje. Ata presin gjithnjë e më shumë protestues në rrugë, por edhe kundër-protestues që i organizon partia në pushtet.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG