Ndërlidhjet

logo-print

Tiranë: “Burg pa afat” për Emiljano Shullazin


Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka dhënë masën e arrestit “burg pa afat” për Emiljano Shullazin, i arrestuar ditën e shtunë.

Procesi i nisur ndaj tij, ka tërhequr vëmendje mediatike por jo vetëm. Ishte ish kryeministri Sali Berisha i cili të shtunën në një bashkëbisedim me gazetarët, bëri me dije se Emiliano Shullazi me dy persona të tjerë kishin kërcënuar Mynyr Konin njërin prej kandidatëve për postin e Rektorit të Universitetit të Tiranës që të tërhiqej nga gara.

Më pas ishte kërcënuar edhe rektori aktual Dhori Kule. Por, të dy personalitetet akademike ndonëse pranojnë se janë kërcënuar, nuk identifikojnë Emiljano Shullazin si kërcënuesin e tyre.

Prokuroria e Tiranës lëshoi një urdhër shoqërimi për të, bazuar në deklaratat e ish kryeministrit Berisha. Ndërsa Shullazi ndodhej në zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës rreth orës 22.00 të së shtunës, Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi një urdhër arresti për të dhe dy bashkëpunëtorwt të tij.

Akuzat

Mbi Emiljano Shullazin rëndojnë disa vepra penale, më e rënda “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “gjobëvënie”, “trafik droge”, “shkatërrim prone me eksploziv”, “kanosje për shkak të detyrës” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Media ka publikuar një kopje të kërkesës së prokurorisë, që u dorëzua në Gjykatën e Krimeve të Rënda, sipas të cilës janë 15 raste kur banda e Shullazit gjobiti, kërcënoi apo vendosi tritol ndaj personave të ndryshëm.

Prokuroria përmend emrat e biznesmenëve në dosje. Në mesin e personave që kanë paguar gjobën, është pronari i një konçesionari dhe pronar i një kompanie të madhe të hidrokarbureve në Shqipëri.

Një biznesmen tjetër është përfaqësuesi i një kompani të njohur kafeje dhe pronar i disa lokaleve në Durrës.

Pre e bandës ka rënë një biznesmen që në vitin 2007 ka qenë i dënuar për trafik droge, tashmë pronar i disa qendrave tregtare.

Asnjë prej biznesëmenëve të përmendur nuk ka bërë kallëzim penal në prokurori, ndërsa njëri prej tyre që nuk pranoi të paguante gjobën u largua jashtë vendit bashkë me familjen.

Nga hetimet është zbuluar se 38 vjecari Emiljano Shullazi është pronar i ish hotel Vollgës në Durrës, një pronë e përfituar përmes “dhurimit” nga ana e pronarëve të ligjshmëm. Dyshohet se prona është marrë nën kërcënim.

Arrestimet dhe lidhjet me politikën

Emiljano Shullazi nuk është nje emër i panjohur për drejtësinë dhe politikën shqiptare. 5 muaj më parë ai është përmendur nga ambasadori amerikan Donald Lu, si një precedent i mosndëshkimit dhe pengimit të reformës në drejtësi.

Emiliano Shullazi është arrestuar disa herë, por është liruar duke i shpëtuar dënimeve për aktivitetin e tij e të bandës së tij. Emri i tij figuron i përfshirë në lidhje të bandave e botës së nëndheshme që në fund të viteve 1990.

Të dyja krahët politike si Parta Socialiste sot në pushtet ashtu edhe Partia Demokratike, akuzojnë njëra tjetrën me raste konkrete të bashkëpunimit të tyre me bandën e Shullazit, kryesisht në fushta zgjedhore.

Arrestimi i Shullazit u krye një ditë mbas kthimit të kryeministrit Edi Rama nga SHBA dhe kur debati për reformën në drejtësi është në kulmin e tij.

XS
SM
MD
LG