Ndërlidhjet

logo-print

Kosova edhe pse konsiderohet vendi më i varfër në rajon dhe me shkallë të lartë të papunësisë edhe varfërisë, ka një pjesë të shtetasve të saj milionerë të cilëve në shumë raste nuk u dihet prejardhja e pasurisë apo mjeteve financiare, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Lidhur me parandalimin e kësaj dukurie, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizimit, i cili siç thuhet, përcakton masat, autoritetet kompetente dhe procedurat për zbulimin dhe parandalimin e pastrimit të parave.

Por, përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë, jo vetëm që e konsiderojnë të vonuar ligjin që rregullon çështjen e fitimit të parave në mënyrë të paligjshme, por edhe shprehen pesimist se miratimi i tij mund të ndikojë në parandalimin e pastrimit të parasë.

Artan Demhasaj, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, për Radion Evropa e Lirë, konsideron se miratimi i këtij projektligji është sa për të përmbushur kriteret e Bashkimit Evropian, kurse sa i përket pasurisë milionëshe të qytetarëve apo edhe politikanëve të Kosovës, ky ligj nuk do sqarojë prejardhjen e pasurisë.

Demhasaj, thotë se parandalimi i shpëlarjes se parasë në Kosovë mund të realizohet me formën penale dhe atë civile.

“Nëse shkohet me vepër penale është e vështirë, pasi gjithmonë duhet të ndërlidhet pasuria me vepër penale që pastaj të shqyrtohet ajo pasuri. Por, nëse kalohet me çështje civile është më lehtë për shtetin, për shkak se çdo herë kur shteti ka dyshime që një person, politikan, ose një individ ka pasuri të paligjshme, e thërret në procedurë dhe kërkon nga ai që të tregojë prejardhjen e pasurisë që posedon. Nëse ajo pasuri nuk argumentohet se është e fituar në bazë ligjore, atëherë shteti mund të konfiskojë atë pasuri”, thotë Demhasaj.

Në vijim, Demhasaj thekson po ashtu se Ligji anti- mafia do të mund të rregullonte çështjet që kanë të bëjnë më fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme.

Ky ligj, ka kohë që përmendet nga qeveria dhe ligjvënësit, por ai nuk është proceduar ende për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

"Ligji për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, shihet si ligj i mirë. Por, ka hapësira për të përmirësuar, sidomos sa i përket bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme që janë përgjegjëse për zbatim, thotë Artan Canhasi", menaxher i programit në Institutin Demokratik të Kosovës.

Ai kujton gjithashtu se Kodi Penal rregullon mirë këtë fushë, dhe në masë të madhe është në përputhje me praktikat e mira ndërkombëtare.

“Miratimi në janar 2014, i strategjisë për Luftimin e pastrimit të parave, ishte një ndër arritjet kryesore të viteve të fundit. Por, këta shembuj tregojnë që fokusi nuk është në zbatim të legjislacionit, por në krijim të tij dhe strategjive të ndryshme".

"Prejardhja e pasurisë do të mbetet një nga problemet kryesore edhe në të ardhmen, nëse nuk zbatohet një sistem i mirëfilltë i kontrollit të kësaj pasurie”, ka thënë Canhasi.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG