Ndërlidhjet

OSBE hap pesë qendra votimi në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë


Ilustrim
Ilustrim

Misioni i OSBE-së ka njoftuar se do të hapë pesë qendra me degë përkatëse nëpër Kosovë, më 24 prill, ditën e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë.

OSBE do të ndërmarrë këtë operacion me qëllim të grumbullimit të votave, për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote (nga komuniteti serb) në Kosovë qasje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

“Stafi i OSBE-së do të jetë prezent në secilën prej tyre. OSBE ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të duhur të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.

Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e operacioneve të mëhershme, në veçanti atë të vitit 2014.

OSBE do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm që do të përdoret në këtë proces.

“Materiali, si fletëvotimet dhe listat e votuesve, i është dorëzuar OSBE-së nga Komisioni Zgjedhor Republikan i Serbisë (KZR). Mënyra e hedhjes së votës për personat me të drejtë vote do të jetë e njëjtë si në 2014”, vijon njoftimi.

Për personat me të drejtë vote, prania e Misionit të OSBE-së në terren ka vënë në dispozicion informacion rreth vendeve që do të shfrytëzohen për këtë operacion.

Pas përfundimit të procesit, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë për numërim e procedura të mëtutjeshme.

XS
SM
MD
LG