Ndërlidhjet

Mustafa: Vetëm grumbullim të votave për zgjedhjet në Serbi


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ritheksuar se në Kosovë do të ketë vetëm grumbullim të votave nga qytetarët serb të Kosovës, për zgjedhjet në Serbi.

“Nuk flitet për zgjedhje klasike të Serbisë në Kosovë, por vetëm për grumbullim të votave nga serbët në Kosovë, të cilët kanë dyshtetësi. Sepse edhe në të gjitha vendet tjera, qytetarët që kanë dyshtetësi, kanë të drejtë që të votojnë. Këtë të drejtë edhe ne ua kemi siguruar me Kushtetutë”, ka thënë Mustafa.

Ai ka shtuar se mekanizmin e realizimit të kësaj të drejte e kanë ofruar përmes Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, (OSBE).

“Nuk lejojmë që dikush nga Serbia të vijë të organizojë vendvotime këtu. OSBE do t’i kryejë këto... janë diku rreth 5 qendra të grumbullimit të votimit. Vetëm grumbullohen ato vota, nuk numërohen këtu, nuk shpallen rezultatet këtu. Barten në Serbi si vota të qytetarëve që kanë dyshtetësi”, ka shtuar kryeministri Mustafa.

Kryeministri Mustafa këto komente i ka bërë pas një takimi që ka pasur më drejtuesit e Odave Ekonomike në Kosovë.

Ndryshe, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, ditë më parë ka njoftuar se do ta ndihmojë procesin e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë.

OSBE, me anë të një komunikate për media, ka njoftuar se "do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave në Kosovë për t’iu mundësuar personave me të drejtë vote qasje në zgjedhjet parlamentare serbe të datës 24 prill 2016".

XS
SM
MD
LG