Ndërlidhjet

Serbët e Kosovës po votojnë sot për zgjedhjet parlamentare të Serbisë


Serbët votojnë në veri të Mitrovicës për zgjedhjet parlamentare serbe, 24 prill 2016
Serbët votojnë në veri të Mitrovicës për zgjedhjet parlamentare serbe, 24 prill 2016

Në mjediset e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë, sot janë hapur vendvotimet për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.

Materialin zgjedhor nga Serbia e ka sjellë misioni i OSBE-së, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Sipas njoftimeve zyrtare, janë hapur 90 qendra votimi dhe disa vendvotime në 21 lokacione.

Nëpër rrugët e qyteteve dhe vendbanimeve me popullatë serbe janë shtuar masat e sigurisë, ku vërehet një prani e theksuar e Policisë së Kosovës.

Sipas marrëveshjes, OSBE, pas mbylljes së qendrave të votimit dhe të vendvotimeve, do të bartë materialin zgjedhor për në Rashkë dhe Vranje të Serbisë, për t’ia dorëzuar Komisionit Zgjedhor Republikan të Serbisë.

Bazuar në listën që ka prezantuar Komisioni Zgjedhor i Serbisë, në Kosovë janë të regjistruar si votues 106.094 veta.

Zgjedhjet parlamentare të Serbisë tashmë janë praktikuar të mbahen në Kosovë dhe bazohen në të drejtën e shtetësisë së dyfishtë të serbëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG