Ndërlidhjet

Në Republikën e Kosovës sektori më i preferuar dhe fitimprurës, vazhdon të mbetet tregtia. Sipas ekspertëve të ekonomisë, orientimi i afaristëve në sektorin e tregtisë, bëhet për shkak se tregtia është më e lehtë, për shkak se nuk kërkohet shumë njohuri, teknologji për të qenë konkurrentë në treg.

Ky sektor, sipas raporteve të institucioneve të ndryshme vendore, thuajse për çdo vit është karakterizuar me rritje.

Madje, në një studim të publikuar së fundmi nga Oda Ekonomike e Kosovës, për barrierat e të bërit biznes në Kosovë, thuhet se sipas veprimtarive, rritje më e madhe e investimeve pritet prapë në tregti me pakicë, kurse vetëm 38 për qind në industrinë e prodhimit.

Eksperti për çështje ekonomike Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se tregtia është sektor me rëndësi për zhvillimin ekonomik, por fatkeqësisht thotë ai, tregtia bën që paratë e gatshme të shkojnë për import të produkteve nga vendet e rajonit.

“Arsyeja pse njerëzit merren më shumë me tregti sesa me prodhimtari ose shërbime, është se tregtia është më e lehtë, për arsye se nuk kërkon shumë inovacione, teknologji nuk kërkon shumë njohuri për të qenë shumë konkurrentë në treg”.

“Në rastin e Kosovës, me dekada kemi një disbalancë ndërmjet prodhimtarisë vendore dhe konsumit vendor. Në fakt, konsumi vendor është shumë më i lartë sesa prodhimtaria dhe si pasojë, ne detyrohemi që të blejmë produkte jashtë vendit”, thotë Gashi.

Ai pohon se politikat fiskale nga autoritetet kompetente janë përmirësuar sa i përket zhvillimit të sektorit të tregtisë, por ndihmë materiale nga ekzekutivi për zhvillimin e kësaj veprimtarie, nuk ka pasur.

“Ne mund të themi se politikat fiskale të deritanishme kanë favorizuar këtë sektor, përndryshe nuk ka pasur ndonjë ndihmë konkrete për sektorin e tregtisë në Kosovë. Do të thotë se sektori i tregtisë në Kosovë, nuk ka dominuar për shkak se është përkrahur drejtpërdrejt nga Qeveria. Mirëpo, për shkak se është një sektor me të cilin më lehtë merren njerëzit se sa në industrinë e prodhimit”, vlerëson Gashi.

Në anën tjetër, Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se sektori privat, përfshirë këtu edhe tregtinë, vazhdon dhe përballet me barriera të shumta.

Kostoja e financimit bankar, kostoja e punës, sistemi tatimor, profitabiliteti shumë i ulët dhe jostabiliteti me energji elektrike, janë vetëm disa nga barrierat që përmend Gërxhaliu, e që janë të përfshira edhe në studimin e fundit të Odës Ekonomike të Kosovës.

“E kam një shqetësim që më brengos nga fakti se rezultatet e hulumtimit nga viti në vit, jo vetëm që nuk përmirësohen, por në instanca të ndryshme, keqësohen. Dhe, dua të besoj se arsyetimi gjithmonë i bazuar në agjendën politike, t’i kalojë të së kaluarës dhe duhet të jemi më konkret dhe pragmatik që prioritet i prioriteteve të jetë zhvillimi ekonomik”, thotë Gërxhaliu.

Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i ndërmarrjeve të regjistruara në Kosovë, i takon tregtisë me mbi50 për qind, po ashtu edhe numri më i madh i qytetarëve është i punësuar në sektorin e tregtisë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG