Ndërlidhjet

Trump: Rivalët e mi janë “matematikisht të humbur”


Donald Trump
Donald Trump

Miliarderi amerikan, Donald Trump, njëherësh favorit për nominim nga Partia Republikane për president të Shteteve të Bashkuara, ka kritikuar përpjekjet e dy rivalëve të tij për të penguar fushatën e tij.

“Ky është një akt i tmerrshëm i dëshpërimit”, ka thënë Trump.

Sfiduesit e Trumpit, senatori i Teksasit, Ted Cruz, dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich, janë pajtuar që t’i bashkojnë forcat, në përpjekje për të ndalur Trumpin nga marrja e nominimit republikan.

Aleanca e befasishme vjen në kohën kur Trump pothuajse e ka arritur numrin e delegatëve të nevojshëm për nominim.

Kasich ka thënë se do të ndalojë fushatën në shtetin e Indianës, ku republikanët mbajnë zgjedhjet për nominim më 3 maj, për t’i dhënë Cruzit më shumë shanse për të fituar atje kundër Trumpit.

Cruz, në anën tjetër, ka rënë dakord që të ndalojë fushatën e tij në Oregon dhe Nju Meksiko, ku votohet më 17 maj, përkatësisht më 7 qershor, për t’i dhënë Kasichit më shumë hapësirë për të luftuar Trumpin.

“Është e trishtueshme që dy politikanë të kultivuar bashkëpunojnë kundër një personi, i cili është politikan për vetëm dhjetë muaj, në përpjekje për ta ndaluar atë person që të marrë nominimin republikan”, ka thënë Trump.

Ai ka shtuar se rivalët e tij janë “matematikisht të humbur”.

Zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara mbahen më 8 nëntor.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është favorite për nominim nga Partia Demokratike.

XS
SM
MD
LG