Ndërlidhjet

Talibanët afganë të gatshëm për bisedime, Kabuli gjakftohtë


Afganistan - Pamje pas sulmit vdekjeprurës të talibanëve në Kabul, 20 prill 2106
Afganistan - Pamje pas sulmit vdekjeprurës të talibanëve në Kabul, 20 prill 2106

Talibanët afganë thonë se kanë dërguar një delegacion në Pakistan për bisedime paqësore, në kohën kur qeveria afgane është ftohur nga ideja e negociatave, pas sulmeve të javës së kaluar, ku mbetën të vrarë 64 njerëz në Kabul.

“Ne jemi të vetëdijshëm se një delegacion taliban ndodhet në Pakistan, por ne nuk do të shkojmë atje derisa Pakistani t’i përmbushë premtimet e dhëna se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër liderëve talibanë që e kanë bazën në Pakistan, e të cilët më herët kishin refuzuar bisedimet paqësore”, ka thënë për Reutersin Dawa Khan Mina Pal, një zëdhënës i presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Ndërsa, burimet e talibanëve i kanë thënë agjencisë së lajmeve se delegacioni i këtij grupi militant ka arritur në Karaçi më 25 prill për t’u takuar me zyrtarët pakistanezë, me të paktën dy përfaqësues që vinin nga zyra politike e Talibanëve në Katar.

“Ne nuk brengosemi nëse Kabuli merr pjesë në takim. Ne veçse e kemi nisur ofensivën pranverore dhe po arrijmë suksese kundër tyre”, i ka thënë Reutersit një përfaqësues i talibanëve nga Katari.

Një burim i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se ekipi negociator i talibanëve “së shpejti do t’i nisë kontaktet fillestare me zyrtarët afganë dhe pakistanezë. Ai ka shtuar se qëllimi kryesor i vizitës është gjetja e mënyrave për të arritur deri te paqja në Afganistan.

XS
SM
MD
LG