Ndërlidhjet

Zgjedhjet paraprake në SHBA: Trump fiton 5 shtete, Clinton 4

  • RFE /RL

Donald Trump & Hillary Clinton

Donald Trump & Hillary Clinton

Kandidati republikan, Donald Trump, ka fituar zgjedhjet paraprake në të pesë shtetet e SHBA-së që kanë votuar të martën, ndërsa kandidatja demokrate, Hillary Clinton, ka fituar në katër prej tyre.

Zgjedhjet janë zhvilluar në Konektikat, Delauer, Merilend, Pensilvani dhe Rod Ajllënd.

Trump tani është edhe më afër numrit të delegatëve të nevojshëm përpara kongresit të partisë, në muajin korrik.

Por, rivalët e tij republikanë, Ted Cruz dhe John Kasich, kanë bërë marrëveshje që në shtetet që kanë mbetur në javët e ardhshme, të bashkëpunojnë për të mos lejuar Trumpin të sigurojë më shumë delegatë.

Trump e ka kritikuar fushatën e tyre, duke e cilësuar si “përpjekje të mjerë”.

Trump, edhe nga partia e tij është kritikuar për retorikë të ashpër.

Ai, mes tjerash, është zotuar se do të ndalojë përkohësisht myslimanët të hyjnë në SHBA dhe se do të ndërtojë mur në kufi me Meksikën.

Pas fitores në pesë shtete, Trump ka thënë se nuk do të zbusë politikat e tij nëse zgjidhet president.

“Ju e dini, unë kam ndjekur shkollat më të mira. Jam një person shumë i zgjuar. Do ta përfaqësoj vendin tonë me dinjitet dhe shumë mirë. Por, nuk do të ndryshoj personalitetin tim. Ai më ka sjellë këtu ku jam”, ka thënë Trump.

Në kampin demokrat, ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka fituar në shtetet Delauar, Merilend, Pensilvani dhe Konektikat, ndërsa senatori i Vermontit, Bernie Sanders, ka fituar në Rod Ajllënd.

Clinton ka thënë se fushata e saj ka synime “të guximshme dhe përparimtare” për të përmirësuar jetën e njerëzve në SHBA.

“Do të unifikojmë partinë tonë për t’i fituar këto zgjedhje dhe për të ndërtuar një Amerikë, ku mund të përparojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Clinton.

Pas fitoreve të fundit, Trump dhe Clinton kanë kthyer kritikat kundër njëri-tjetrit.

Trump ka thënë se rivalja e tij demokrate ka avancuar në garë vetëm se është grua.

“Nëse Hillary Clinton do të ishte burrë, nuk mendoj se do t’i fitonte pesë përqind të votave”, ka thënë Trump.

Clinton ka hedhur poshtë akuzat se ajo luan me “kartën e gruas”.

“Nëse të luftosh për kujdesin shëndetësor të gruas, për pushim të paguar dhe pagesa të barabarta është lojë me kartën e gruas, atëherë në rregull”, ka thënë Clinton.

Fushata e përgjithshme zgjedhore në SHBA zyrtarisht do të nisë në fund të korrikut, pasi të dyja partitë të shpallin të nominuarit e tyre. Më pas do të nisin debatet mes kandidatëve dhe rekalmat e paguara televizive për të bindur qytetarët se përse njëri kandidat duhet ose nuk duhet të marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë nga muaji janar.

Fituesi do të pasojë presidentin aktual, Barack Obama, i cili ka qenë kandidat i Partisë Demokratike dhe ka shërbyer dy mandate.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG