Ndërlidhjet

UNMIK-u shpreh keqardhje për trajtimin e romëve në kampet në veri


Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin ka shprehur keqardhjen e tij në lidhje me trajtimin e personave të zhvendosur të komunitetit rom në dy kampe në veri të Kosovës, të ngritura pas luftës së fundit.

Shefi i UNMIK-ut, sipas një komunikate të lëshuar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka shprehur keqardhje në lidhje me kushtet jo të favorshme të jetesës për këta banorë në këto kampe në Leposaviq dhe veri të Mitrovicës.

Njëherësh, shefi i UNMIK-ut i ka marrë parasysh edhe rekomandimet e Panelit për të Drejtat e Njeriut për dështimin e UNMIK-ut në trajtimin e personave të zhvendosur bashkë me kërkesën për kompensim ndaj këtyre banorëve.

Andaj, ai ka vendosur që kërkesën për kompensim t’ua procedojë organeve kompetente të Kombeve të Bashkuara.

Në kampet e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq, për dhjetë vjet rresht kanë jetuar rreth 1 mijë romë.

Këto kampe, të ngritura nga administrata e Kombeve të Bashkuara e njohur si UNMIK, ishin në afërsi të Kombinatit Trepça, andaj edhe që nga fillimi ishin hedhur dyshime për helmimin e këtyre banorëve nga mbetjet toksike, sidomos nga plumbi.

Në një opinion që ka lëshuar më 26 shkurt të këtij viti, një Panel për të Drejtat e Njeriut në kuadër të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, bënte me dije se UNMIK-u kishte neglizhuar problemin dhe kishte dështuar t’i mbronte familjet rome.

Paneli, ka ardhur në përfundim se UNMIK-u i ka i lënë romët në këto kampe me vite pavarësisht që banorët aty sëmureshin, në të shumtat e rasteve, nga helmimet e mbetjeve toksike aty. Kurse më të goditurit besohet të kenë qenë fëmijët.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG