Ndërlidhjet

MSA-ja po zbatohet pa ndonjë problem të theksuar


Ilustrim

Ilustrim

Procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA), deri më tani nuk ka hasur në ndonjë problem të madh, thonë përfaqësues të autoriteteve doganore.

Parapërgatitjet që janë bërë për zbatimin e kësaj marrëveshje, vlerësohet të kenë ndihmuar në eliminimin e problemeve eventuale.

Megjithatë, disa probleme në zbatimin e kësaj marrëveshje kanë paraqitur importuesit e produkteve të mishit.

Marrëveshja për Stabilizim Asocim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës ishte nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015, derisa ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga hyrja në fuqi e deri më tani, MSA-ja është duke u zbatuar pa ndonjë problem.

“Mund të je them që procesi i implementimit të MSA-së fatmirësisht ka shkuar mirë. Dogana është përgatitur për problemet e mundshme që mund të dalin nga ky proces. Është hapur zyra për këshilla për bizneset që merren me zbatimin e MSA-së. Deri më tani nuk kemi marrë asnjë ankesë nga biznesi në lidhur me atë se nuk është zbatuar ndonjë dispozitë që del nga kjo marrëveshje. Për momentin jemi në kapacitetet të zbatimit 100 për qind të MSA-së”, thekson Stavileci.

Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Mishit, Burim Piraj, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se me vonesë është bërë përditësimi i të dhënave në lidhje me zbatimin e MSA-së.

“Fillimisht kemi pasur problem me Doganën e Kosovës e cila ka pasur kërkesa shtesë për certifikatën e lëvizjes së mallit, dogana ka kërkuar disa kërkesa të cilat na pamundësonin ta shfrytëzonim 1 për qind të lirimit doganor. Kështu që, edhe pas hyrjes në fuqi të MSA-së ne nuk kemi mund të shfrytëzojmë të drejtën tonë. Problemi ende nuk është eliminuar, por është në proces të zgjidhjes”, ka treguar Piraj.

Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ka paraparë që në vitin e parë, tatimi doganor të ulet nga dhjetë për qind sa ka qenë, në tetë për qind. Vitin e dytë të jetë gjashtë për qind, vitin e tretë katër për qind dhe vitin e katërt dy për qind. Pas vitit të katërt do të jetë zero për qind.

Nga heqja e taksës doganore të produkteve që vinë nga BE-ja, është theksuar tanimë se do të pësojnë të hyrat në Doganat e Kosovës. Sipas kalkulimeve të bëra nga Doganat e Kosovës, në vitin e parë të zbatimit të MSA-së, parashihet të ketë një zvogëlim në të hyra të tatimit doganor për 24 milionë euro.

Gjatë ditës së premte, Ministria për Integrim Evropian në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal ka zhvilluar një takim informues me komunat e rajonit të Prishtinës, lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimit Evropian ka ritheksuar se hyrja në fuqi e MSA-së garanton një të drejtë fondamentale për zhvillim e Kosovës.

“MSA është një marrëveshje historike, një kontratë për të ardhmen e vendit tonë dhe për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shoqërisë sonë. Zbatimi i MSA-së është fokusi ynë, sepse vetëm duke zbatuar MSA-në, ne do ta përafrojmë vendin tonë me Bashkimin Evropian, dhe duke bërë një gjë të tillë ne forcojmë sundimin e ligjit dhe ekonominë tonë”, ka theksuar ai.

Po ashtu, Ilazi ka potencuar se shumë shpejt presin që të ketë lajme të mira për liberalizimin e vizave.

Për të mbështetur reformat e nevojshme, BE-ja vë në dispozicion asistencën para pranimit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në vlerë prej 11.7 miliardë euro gjatë periudhës 2014-2020, prej të cilave 645.5 milionë euro alokohen për Kosovën.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG