Ndërlidhjet

Armëpushimi i ri për Sirinë po zbatohet pjesshëm, por jo në Aleppo

  • RFE /RL

Aleppo

Aleppo

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia ndërmjetësuan një armëpushim të ri në disa pjesë të Sirisë, por përjashtuan betejën kryesore në Aleppo, ku luftimet e ashpra vranë më shumë se 200 njerëz gjatë javës së kaluar.

Sipas një marrëveshjeje të përpunuar të premten (29 prill) nga sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, armëpushimi nisi në orën 1 të mëngjesit, sipas kohës lokale, më 30 prill, në lagjen periferike Ghouta të Damaskut, si dhe në provincën bregdetare të Latakias.

Përderisa këto zona ishin të qeta, masakra vazhdonte në Aleppo, ku të paktën 50 njerëz u vranë nga sulmet ajrore vetëm në një spital, dhe dhjetëra të tjerë u vranë nga luftimet në lokacione të tjera, në vendin ku dikur konsiderohej si qyteti më i madh sirian dhe qendra e tregtisë.

Regjimi sirian nisi një ofensivë të madhe në Aleppo menjëherë pas shtyrjes së bisedimeve paqësore në Gjenevë këtë javë, duke nxitur deklarata zemërimi nga liderët e lartë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.

Dhuna “po kthehet në nivelet që kemi parë para ndaljes së armiqësive”, që nga marrëveshje e mëhershme e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia në muajin shkurt, tha shefi i Kombeve të Bashkuara për të drejta të njeriut, Zeid Ra’ad al-Hussein.

“Ka pasur raporte shqetësuese për përgatitje ushtarake që tregojnë për një përshkallëzim vdekjeprurës”, tha ai të premten, duke dënuar “mosrespektimin e tmerrshëm për jetët e njerëzve nga të gjitha palët në konflikt.”

Zyrtarët amerikanë thanë se Kerry ka bërë përpjekje që ta ripërtërijë marrëveshjen në Aleppo, por Rusia ka refuzuar një plan të tillë. Moska pretendon se grupi terrorist Fronti Al-Nusra funksionon jashtë qytetit dhe se armëpushimi nuk aplikohet për këtë grup që ka lidhje me Al-Qaedan.

Grupet e tjera rebele që kanë lidhje me Frontin Al-Nusra, gjithashtu, ndodhen aty, dhe Moska më herët këtë javë i vendosi edhe ato në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, njëlloj sikurse Al-Qaedan, që nënkupton se armëpushimi nuk i përfshin as ato grupe.

Dështimi për ta përfshirë Aleppon në marrëveshje ishte “pjesërisht pranim se Aleppo është shumë i komplikuar dhe se luftimet përreth tij janë me të vërtetë alarmuese”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner.

“Ne duhet të fillojmë diku dhe ne kemi nisur në Latakia dhe në lindje të Ghoutas”, ka thënë Toner, duke shtuar se duan që të fokusohen në forcimin e marrëveshjes për ndalje të armiqësive, duke e ripërtërirë atë, në mënyrë që t’i shuajnë luftimet.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq njoftoi se të premten (29 prill) edhe katër qendra të tjera mjekësore në Aleppo janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë. Ky komitet raportoi se dhjetëra njerëz u vranë dhe u lënduan në “një ditë tjetër të luftimeve që nuk kanë të ndalur.”

“Nuk ka arsyetim për këto akte të tmerrshme të dhunës që kanë për cak spitalet dhe klinikat, gjë që është e ndaluar sipas të Drejtës Humanitare Ndërkombëtare”, ka thënë Marianne Gasser, shefe për Sirinë e këtij Komiteti.

“Njerëzit po vdesin nga këto sulme. Nuk ekziston më asnjë vend i sigurt në Aleppo dhe ne u bëjmë thirrje të gjithëve që ta ndalin këtë dhunë që nuk po bën dallime”, ka thënë ajo.

Observatori sirian për të Drejta të Njeriut tha se sulmet ajrore dhe bombardimet në Aleppo vranë 202 civilë javën e kaluar, në mesin e të cilëve 31 ishin fëmijë.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se 85 njerëz u vranë dhe më shumë se 600 të tjerë u lënduan në zonat e kontrolluara nga qeveria gjatë javës së kaluar.

Përgatiti: Valjeta Kosumi
XS
SM
MD
LG